Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 21.05.2015
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, një pjesë të mbledhjes e kryesuan edhe nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Aida Dërguti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe kohës për pyetje parlamentare. Deputetet shtruan çështje e probleme të ndryshme nga jeta shoqërore, ekonomike e arsimore në vend, ndërkaq në pyetjet parlamentare të deputetëve u përgjigjën ministrat: Imet Rrahmani, ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, Mahir Yagcilar, ministër i Ministrisë së Administratës Publike, Lutfi Zharku, ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, Avdullah Hoti, ministër i Ministrisë së Financave dhe Valon Murati, ministër i Ministrisë së Diasporës.
Në vijim Kuvendi në rendin e ditës kishte shqyrtimin e parë të Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale. Prezantimin e këtij Projektligji para deputetëve e bëri Avdullah Hoti, ministër i Ministrisë së Financave,i cili theksoi se ky Projektligj është pjesë e Pakos fiskale të Qeverisë së Kosovës, për periudhën 2015-2018, me të cilin janë freskuar definicionet ekzistuese, duke eliminuar dykuptimësitë dhe paqartësitë dhe janë bërë ndryshime të duhura. Pastaj paraqiti edhe hollësi të tjera të përmajtjes së Projëktligjit. Projektligji nuk paraqet kosto shtesë, ndaj ai propozoi që Projektligji të miratohet në parim.
Në emër të Komisonit për Buxhet dhe Financa, prezantimin e Projektligjit e bëri Naser Osmani, kryetar i këtij Komisioni, i cili theksoi se Komisioni e ka shqyrtuuar këtë Projektligj, duke vlerësuar se ai përmban opinionin e BE-së, aplikon një politikë më të thjeshtë tatimore dhe përgjithësisht përmbush kushtet për miratim, ndërsa vërejtjet e kësaj seance do të shqyrtohen nga ana e Komisionit.
Në emër të GP të PDK-ës, Projektligjit i dha përkrahje edhe Labinota Demi - Murtezi. Përkrahje këtij Projektligji i dha edhe Naser Osmani, në emër të GP të LDK-ës.
Duke folur në emër të GP të Vetevendosjes Visar Ymeri tha se ky Projektligj bashkë me atë të të Koorporatave janë shumë të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike në vend.Mirëpo, vlerësoi ai, ndryshimet në këtë Projektligj më shumë janë teknike dhe dhe kozmetike dhe nuk përkojnë me gjendjen fiskale në vend.Bali Muharremaj në emër të GP të AAK-ës, theksoi se Projektligji nuk ka ndryshime esenciale. Ky grup parlamentar e përkrah në parim Projektligjin, theksoi ai. Edhe Enver Hoti, në emër të Grupit Parlamentar Nisma i dha përkrahje këtij Projektligji. Po kështu Projektligjin e përkrahu në parim edhe Myfera Shinnik në emër të GP 6+.
Kuvendi pastaj vazhdoi punën me shqyrtimin e parë të i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili theksoi se edhe ky Projektligj është pjesë e Pakos së Qeverisë së Kosovës, i cili do të pasohet edhe nga Projektligji për TVSH-ën, i cili gjithashtu së shpejti do të vijë për shqyrtim në Kuvend. Z.Hoti kërkoi që edhe ministri i Financave të ketë kompetencë për të dhënë lehtësi tatimore. Ai na vazhdim foli edhe për risitë tjera që sjell Projektligji, duke përmendur edhe subjektet që do të lirohen nga tatimi. Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani theksoi se ky Komision e ka shqyrtuar këtë Projektligj dhe ka konstatuar se Projektligji i përmbush kushtet formale juridike për miratim dhe është në harmoni më legjislacionin evropian. Në vijim, në emër të GP të PDK-ës foli Labinota Demi-Murtezi, e cila theksoi se ky grup parlamentar do të përkrahë në parim këtë Projektligj. Ndërkaq, në emër të GP të LDK-ës, Besa Gaxherri theksoi se ky Projektligj është në dobi të korporatave, ndaj edhe ky grup parlamentar përkrah miratimin e tij. Visar Ymeri duke folur në emër të GP të Vetëvendosjes theksoi se ndryshimet në tekstin e këtij Projektligji më shumë janë të karakterit teknik, ndaj nuk sjellin ndryshime të duhura. Ai shprehu mendimin se zvogëlimi i normës së tatimit nuk është patjetër faktor që gjithsesi ndikon pozitivisht në zhvillimin e korporatave, pra tatimi i ulët nuk ndikon në shtimin e investimeve.
Në emër të GP të AAK-ës, Bali Muharremaj, theksoi se kjo Pako e projektligjeve është bazë e reformës fiskale, ndaj janë të pritshme ndryshimet përmbajtjesore. Ai propozoi lehtësi në tatim për ato korporata që hapin vende të reja pune. Po kështu Projektligjin e përkrahën edhe Shukrije Bytyqi, në emër të GP Nisma, si dhe Fikrim Damka, në emër të GP 6+.
Kuvendi shqyrtoi në vijim Raportin e Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës për vitin 2014. Raportin e prezantoi Fikrim Damka, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis Hapësinor, i cili në emër të Komisionit propozoi të miratohet në parim ky Projektligj. Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, para deputetëve foli për parametrat financiarë, ndërsa duke përmbyllur fjalën e tij tha se Komisioni për Buxhet dhe Financa përkrah përkrah këtë Raport. Në emër të PDK-ës, Emila Rexhepi, theksoi se ky grup parlamentar i jep mbështetje këtij Raporti. Në fjalën e tij Adem Salihaj, nga GP i LDK-ës, u angazhua për një buxhet më të madh për këtë agjension, si dhe për menaxhim më të mirë të komplekseve memoriale. Ilir Deda nga GP i Vetëvendosjes theksoi se Agjensioni është themeluar pa përmbushur kushtet që të ketë mundësi të kryejë përgjegjësitë e veta. Ai inkurajoi Agjencinë që të kërkojë buxhet shtesë,pa harruar se edhe komunat kanë përgjegjësitë e tyre në mirëmbajtjen e komplekseve memoriale. Ne emër të grupi të tij parlamentar ai i dha përkrahje miratimit të këtij Raporti. Përkrahje Raportit i dhanë edhe Daut Haradinaj nga GP i AAK dhe Zafir Berisha nga Nisma. Të gjithë diskutuesit ishin unik në kërkesën se duhet të bëhet shumë më shumë për menaxhimin dhe kujdesin ndaj memorialëve.
Në vijim Kuvendi shqyrtoi Raportin Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2014, të cilin e prezantoi Selvije Halimi, nënkryetar e Komisionit Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, e cila theksoi se e përkrah këtë Raport, si në emër të Komisionit, ashtu edhe në emër të GP të PDK-ës, ndërsa në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa përkrahje Raportit i dha Besa Gaxherri. Raportin e përkrahën në emër të grupeve përkatëse parlamentare: Gani Ademi (GP LDK), Faton Topalli ( GP VV), Daut Haradinaj (GP AAK), Shukrije Bytyqi (GP GP Nisma) dhe Duda Bale (GP 6+). Kuvendi miratoi në parim dy projekligjet e shqyrtuara dhe dy raportet.
Në përfundim të këtyre pikave, Kuvendi vendosi që si pikë e rendit të ditës të radhitet interpelanca e kryeministrit Isa Mustafa, në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 44, paragrafi 1, të Rregullores së Punës së Kuvendit, kërkesë kjo e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, AAK-ës, GP NISMA dhe 12 deputetëve të tjerë nënshkrues.
Kërkesën para deputetëve e paraqiti, Donika Kadaj Bujupi, e cila në fillim theksoi se kjo interpelancë mbështetet në Neni 94, paragrafit 1, pikës (2) dhe (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sipas së cilës Kryeministri ka detyrimin ekskluziv kushtetues që të sigurojë se të gjitha ministritë veprojnë në pajtim me ligjet në fuqi, si dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë.
Në vijim të fjalës së saj Donika Kadaj - Bujupi theksoi se krimi i organizuar deri më tani ka treguar që i ka mbijetuar organeve të drejtësisë në përgjithësi dhe po zhvillohet e mobilizohet çdo ditë pa u penguar nga aparati shtetëror i drejtuar nga ekzekutivi i vendit. Madje, sot veprimet e krimit të organizuar janë të pranishme brenda institucioneve, duke i kontrolluar dhe nënshtruar ato për interesat vetanake. Rasti që ilustron haptazi këtë problem të rëndë është afera në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ekziston bindja e thellë tek qytetarët tanë se korrupsioni ka prekur hierarkinë më të lartë të institucioneve shtetërore, bindje e cila po vërtetohet çdo ditë e më shumë përballë mosreagimit serioz të Qeverisë ndaj kësaj gjendje, theksoi Donika Kadaj - Bujupi.
Problemi thelbësor në këtë luftë fiktive kundër korrupsionit është mungesa totale e vullnetit politik nga kjo Qeveri aktuale që përfaqëson vazhdimësinë të asaj të kaluarës, siç tregon dhe veprimtaria e Ministrit të Drejtësisë, i cili mbetet po i njëjti nga Qeveria e mëparshme,theksoi Donika Kadaj - Bujupi.
Duke iu drejtuar deputetëve kryeministri Isa Mustafa theksoi se kërkesa për interpelancë është e padrejtë, sepse puna e z. Kuçi është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Për dështimet është fajësuar , theksoi z. Mustafa , vetëm ministri Kuçi, megjithëse dihet se struktura ligjore është meritë e ministrit Hajredin Kuçi."Nuk di për implikimin e z. Kuçi në Fabrikën e Amortizatorëve" të Prishtinës", tha në vijim z. Mustafa. Askush nuk është imun nga ligji, por këto gjëra nuk mund të bëhen me akuza të pathemelta. Në vend se vlerësohet puna e suksesshme e Kuçit, po kërkohet përgjegjësi. Ndërkaq, Ligji mbi amnistinë është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, theksoi kryeministri Isa Mustafa.
Adem Grabovci në fjalën e tij theksoi se nuk pajtohet me shpifjet dhe akuzat. Akuzat për njeriun ndër më të suksesshmit është absurde. GP i PDK është angazhohet për unitet, për ide që çojnë përpara. Ismet Beqiri theksoi se z. Kuçi e ka kryer punën me kompetencë, ndaj:"Do të votojmë kundër Rezolutës". Albulena Haxhiu nga GP i Vetëvendosjes tha se nuk do të bëhej kërkesa për interpelancë po të reflektonte kryeministri Mustafa ndaj ministrit Kuçi. Ajo në vijim e fajësonte z. Kuçi, si theksonte, për ndikimet e tij në Këshillin Prokurorial,nuk luftonte korrupsionin, nuk e shkarkoi drejtorin e Burgut Korrektues, lejonte aktivitete kriminale etj.
Time Kadrijaj në emër të GP të AAK-ës tha se sistemi i drejtësisë është përgjegjës për gjendjen e krijuar, ku ligji nuk i trajton njësoj qytetarët. Të dy qeveritë kanë thënë se sistemi i drejtësisë do të avancojë, por kjo nuk ndodhi. Drejtësia po varet nga politika, tha ajo.
Në fjalën e tij z. Hajredin Kuçi theksoi se drejtësinë gjithnjë e ka trajtuar si koncenzus nacional."Angazhimi im ka qenë arkitektura e drejtësisë. Kam proceduar rreth 50 ligje, që janë aprovuar me koncenzus. Drejtësinë duhet ta shohim më shumë se një njeri, theksoi ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi.
Kryeministri i Kosovës , Isa Mustafa, theksoi se kjo që u tha këtu tregon se angazhohemi për forcimin sistemit të drejtësisë , luftimin e korrupsionit, por nuk do të arrihen sukses nëse nuk punohet bashkërisht. Dorëheqja e z. Kuçi nuk është zgjidhje.
Në përfundim të debatit, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nxori në votim Projektrezolutën e paraqitur nga Donika Kadaj - Bujupi. Kuvendi me shumicë votash nuk e miratoi Projektrezolutën.