Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Mërkure, 20.05.2015
Në mbledhjen e sotme për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, temë qendrore ishte shqyrtimi i Raportit vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2014. Një pasqyrë të gjerë të punës, rezultateve dhe sfidave të këtij institucioni, para anëtarëve të Komisionit i paraqiti, kryetari i Bordit të RTK-ës, Ismet Bexheti. Përkundër faktit se RTK-ja është përballur me probleme e sfida, theksoi z. Bexheti, RTK-ja është përpjekur të jetë në trend me kohën, të ofrojë cilësi, të shtojën numrin e punëtorëve, sepse ndalja në vend do të ishte rënie. Ky institucion ka siguruar studio të reja,teknologji të re, ka digjitalizuar programin e brendshëm , ka bërë dhomën e integruar të lajmeve nga vetë punonjësit. Ndërkaq, sfidë edhe më tutje mbetet prona e pazgjidhur dhe çështja e financimit.
Në fjalën hyrëse të z. Pajaziti, u tha se në kuadër të mbikëqyrjes, para Komisionit adresohet çështja financiare,pastaj strategjia e digjitalizimit, menaxhimi që është çështje e vetë RTK-ës, si dhe gjetja sa më adekuate e mënyrës së financimit të këtij mediumi. Në vijim pasoi një debat i gjerë nga ana e deputetëve, të cilët krahas rezultateve shihnin edhe dobësi dhe parregullsi, si në veprimtarinë e këtij mediumi , ashtu edhe në Raport. Kërkohej më shumë transparencë,nivel më të lartë profesional, më shumë kursim, më shumë racionalitet, Raport më gjithëpërfshirës, i cili më parë do të duhej t' i nënshtrohej një debati publik, keqmenaxhim edhe të parasë publike etj.
Si rrjedhojë e këtij debati, pati edhe replika. Paraqiteshin argumente, por edhe kundër argumente. Në fjalën përmbyllëse, të këtij debatit të hapur, kryetari i Komisionit Zenun Pajaziti, inkurajoi udhëheqjen e RTK-ës për punë në pajtim me ligjin, duke theksuar se digjitalizimi,financimi dhe prona janë faktor esencialisht të rëndësishëm për mbarë punonjësit e RTK-ës. Në përfundim të debatit u dha një pauzë e shkurtër, në mënyrë që pastaj të votohet Raporti. Mirëpo, në momentin që pritej të fillojë votimi, u konstatua se Komisioni nuk kishte shumicën e nevojshme për të miratuar Raportin, ndaj për të do të votohet në mbledhjen e radhës.