Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 20.05.2015




nformata nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, lidhur me taksën kufitare të automjeteve me targa të huaja që hyjnë në Kosovë, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme, të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Në fjalën e tij, z. Bedri Hamza, duke folur për çështjen kartonit të gjelbër, theksoi disa nga problemet, me të cilat ballafaqohen sidomos punëtorët tanë gjatë qarkullimit nga bota e jashtme. Në këtë aspekt, ai i bëri një vështrim shumë të gjerë faktit se Kosova nuk është ende anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër me seli në Belgjikë dhe përpjekjeve që bëhen nga ana e Bankës Qendrore dhe institucioneve të tjera që janë të ndërlidhura me këtë çështje, për të gjetur mënyrat, përkatësisht alternativat e tejkalimit të këtij problemi. Duke u angazhuar për tejkalimin e këtij problemi ai tha se si zgjidhje do të ishte sigurimi i kartonit të gjelbër nga një palë e tretë dhe se për këtë është biseduar me Shqipërinë, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Shih për këtë planifikohet që të bisedohet me institucionet përkatëse të Sllovenisë dhe të të Kroacisë.

Si guvernatori i Bankës Qendrore, ashtu edhe deputetet që diskutuan, ishin të një mendimi se anëtarësimi në Byronë e Kartonit të Gjelbër me seli në Belgjikë është e vetmja zgjidhje, por se kjo varet edhe nga bisedimet që zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për zgjidhjen e problemit të kartonit të gjelbër u tha se është e nevojshme të bëhet edhe një lobim më i gjerë.

Duke pasur para sysh faktin se nga punëtorët tanë në botën e jashtme sigurohet një remitentë prej 700 milionë eurosh në vit, u tha se do të duhej të merrej para sysh kjo me rastin e mbulimit të dëmeve nga aksidentet.

Në vijim Komisioni shqyrtoi në parim i Projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar. Projektligjin para deputetëve e prezantoi,ministri i Ministrisë së Financave, Avdullah Hoti, i cili theksoi se ky Projektligj është fryt i Pakos së Qeverisë për të krijuar një ambient sa më të mirë në biznes dhe në këmbimin tregtar. Ai tha se ky do të jetë një ligj krejtësisht i ri. Lidhur me këtë Projektligj ai tha se janë konsultuar të gjitha grupet e interesit, nga të cilat janë përfshirë shqetësimet dhe sugjerimet e tyre. Projektligji u përmbahet edhe dispozitave të Konventës së BE-së lidhur me këtë çështje. Në përfundim të debatit Projektligji u përkrah nga ana e deputetëve dhe njëherësh u procedua për miratim në Kuvend.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2015. Për këto ecuri Komisionin e njoftoi, sekretari i përgjithshëm, Ismet Krasniqi. Komisioni përkrahu këtë Raport dhe njëherësh i rekomandon Kryesisë së Kuvendit që ta miratojë atë.

Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014, ishte pikë vijuese e Komisionit. Raportin e paraqiti kryetarja e KQZ-ës, Valdete Daka, e cila në fillim theksoi se Komisioni ka pasur shpenzime shtesë për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në veri të Mitrovicës, si dhe zgjedhjeve në nivel vendi. Pas debatit, Raporti u përkrah dhe u procedua për miratim në Kuvend.

Komisioni shqyrtoi edhe Raportin vjetor financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2014. Raportin e paraqiti ushtruesi këtij institucioni, Sami Kurteshi, i cili përmendi i parametrat financiarë, sipas të cilëve, dilte se ka pasur kursime, përkatësisht janë zvogëluar shpenzimet në reprezentacione, në telefoninë mobile etj. Komisioni përkrahu Raportin dhe e rekomandoi për miratim në seancë.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa