Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

E Hënë, 18.05.2015




Pas përfundimit të mbledhjes së kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vijuar me mbledhje të re plenare. Në këtë mbledhje të kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, Kuvendi me procedurë të përshpejtuar shqyrtoi një pako projektligjesh në lexim të parë.


Në fillim të kësaj mbledhjeje, ndërkaq, deputetët me një minutë heshtje nderuan ish deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Zylfi Mergja, i cili ka ndërruar jetë mbrëmë. Ish deputeti Mergja, ka qenë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.


Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjeve, për të cilat kryesuesi i mbledhjes kërkoi shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvendit. Lidhur me këtë propozim, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, deputeti Glauk Konjufca, u shpreh kundër. Duke sqaruar qëndrimin e këtij subjekti politik, deputeti Konjufca, tha:" Projektligjet, për të cilat sot kërkohet shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvendit, është dashur që të procedohen deri më 31 mars". Ai në vijim shprehu drojën se me shqyrtimin e projektligjeve në procedurë të përshpejtuar, do të dëmtohet cilësia e tyre.


Pas kësaj, deputetët me shumicë votash u deklaruan për shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvendit, ndërkaq u vijua me shqyrtimin e projektligjeve.


Fillimisht u shqyrtua Projektligji për Përgjimin e Telekomunikimeve, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Pas deklarimit të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe debatit të zhvilluar, deputetët me shumicë votash e miratuan këtë Projektligj.


U vijua me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për gjykatat. Këtë projektligj e paraqiti ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai tha se Projektligji është harmonizuar me projektligjet e BE-së, të cilat aktualisht janë në fuqi, ndërkaq, nga deputetët kërkoi miratimin e tij.


Përfaqëuesit e grupeve parlamentare u deklaruan në favor të projektligjit, ndërkaq, gjatë debatit u dhanë vërejtje dhe rekomandime, për të cilat deputetët u zotuan se do të amendamentohen në mes të dyja leximeve.


Gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili vlerësoi se për rregullimin e gjendjes në gjykata dhe prokurori, barra kryesore bie në Ministrinë e Drejtësisë. Ai po ashtu u shpreh i bindur se Kuvendi është i gatshëm që të miratojë ligje sa më të mira që rregullojnë këtë fushë, të cilat tha ai, duhet t'i procedojë Ministria e Drejtësisë.


Pas kësaj, Projektligji u hodh në votim dhe me shumicë votash u miratua në parim.


Më pas, u shqyrtua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Edhe këtë Projektligj e paraqiti ministri, Kuçi, ndërkaq, deputetët me shumicë votash e miratuan atë.


Po ashtu, në këtë mbledhje Kuvendi miratoi në parim edhe tri projektligje të tjera: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe Projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit.


Nga Kuvendi vlerësohet se shqyrtimi dhe miratimi në parim i këtyre projektligjeve, do të ndikojë në përshpejtimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe integrimin e vendit në mekanizmat ndërkombëtarë.


Projektligjet e miratuara sot, do të shqyrtohen në leximin e dytë në mbledhje plenare, e cila pritet të mbahet më 28 maj.

 

 

 

Nga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e Kuvendit