Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Premte, 15.05.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Sabri Hamiti), shqyrtoi për herë të parë tri projektligje, katër raporte vjetore të institucioneve të pavarura, ndërsa zgjodhi nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, si dhe dy anëtarë të Bordit të BQK-së.
Mbledhja filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Hajredin Kuçi, Lutfi Zharku dhe Kujtim Shala.
Kuvendi, vazhdoi punimet me shqyrtimin e propozimit të Grupit Parlamentar të Listës serbe për emërimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pas propozimit nga ana e kryetarit të këtij grupi, Sasha Milosavleviq, Kuvendi, me 62 vota për, zgjodhi për nënkryetar të tij nga radhët e komunitetit serb, deputetin Sllobodan Petroviq. Deputeti Petroviq e zëvendëson në pozitën e nënkryetarit të
Kuvendit znj. Jasmina Zhivkoviq, e cila disa ditë më parë dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Pasi miratoi rregullat për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve joekzekutivë në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, të cilat i paraqiti kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, Kuvendi procedoi me zgjedhjen e dy anëtarëve të këtij Bordi.
Në raundin e parë të votimit, nga tetë të propozuarit: Mejdi Bektashi, Mimoza Mustafa, Behxhet Brajshori, Shyqyri Bytyçi, Silif Zufi, Nuhi Ahmeti, Agim Vishi dhe Xhemajl Gashi, votat e mjaftueshme për anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së, i mori kandidati Nuhi Ahmeti.
Sipas numrit të votave të fituara, në raundin e dytë shkuan kandidatët Mejdi Bektashi dhe Behxhet Brajshori. Në këtë raund, më shumë vota mori kandidati Behxhet Brajshoi. Konform ligjit, kandidatët e zgjedhur, Nuhi Ahmeti dhe Behxhet Brajshori, iu dërguan presidentes së vendit për emërim.
Në vazhdimin e pasdites, Kuvendi procedoi me shqyrtimin në parim të projektligjeve.
Projektligjin për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, para deputetëve e prezantoi ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ministri Abrashi foli për rëndësinë e projektligjit dhe njëherësh shkoqiti aspekte përmbajtësore të tij. Qëndrimin dhe rekomandimin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, për miratimin e këtij projektligji në parim, e paraqiti kryetarja e këtij komisioni, Flora Brovina.
Përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetët e tjerë, gjatë diskutimeve të tyre, theksuan rëndësinë e madhe që ka ky projektligj dhe njëkohësisht, dhanë vërejtje e propozime për plotësim-ndryshime në pjesë të caktuara të tij.
Ministri Abrashi prezantoi edhe dy projektligje të tjera nga fusha e shëndetësisë: Projektligjin për shërbimin mjekësor emergjent dhe atë për shëndetin mendor, ndërsa kryetarja e Komisionit funksional për Shëndetësi, Flora Brovina, paraqiti rekomandimet e komisionit për miratimin e tyre në parim. Deputetët, nga ana e tyre, shprehën qëndrimet e grupeve parlamentare përkitazi me përmbajtjen e këtyre projektligjeve, duke dhënë, njëkohësisht, edhe vërejtje e propozime.
Mbledhja e Kuvendit vijoi me shqyrtimin e raporteve të katër institucioneve të pavarura për vitin 2014. Kështu, raportin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), e prezantoi kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, Zenun Pajaziti, me rekomandimin që ai të miratohet nga Kuvendi. Gjatë fjalës së tij, Pajaziti prezantoi aktivitetet e KPM-së gjatë vitit të kaluar, por edhe sfidat e problemet me të cilat ai është ballafaquar.
Raportin financiar të këtij komisioni, ndërkaq, e paraqiti kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, duke i rekomanduar Kuvendit miratimin e tij, pasi që i njëjti, sipas Osmanit, i përmbush kushtet formale-ligjore dhe standardet e raportimit.
Në emër të Komisionit për Legjislacion, deputeti Armend Zemaj prezantoi raportin e Agjencisë kundër Korrupsionit për vitin 2014 dhe njëherësh rekomandimin për miratimin e tij. Duke paraqitur qëndrimin e komisionit, ai kërkoi punë dhe angazhim maksimal nga ana e Agjencisë, si në evidentimin e shkeljeve ligjore, ashtu e edhe në parandalimin e rasteve të tilla.
Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për miratimin e raportit financiar të kësaj agjencie, e paraqiti kryetari Naser Osmani.
Përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë, gjatë diskutimeve të tyre, u ndalën në aspekte të ndryshme të përmbajtjes së raportit, duke shprehur qëndrime për dhe kundër raportit, por edhe punës së agjencisë në përgjithësi.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e raportit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC). Rekomandimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti e Industri, për miratimin e raportit, e paraqiti përfaqësuesi i këtij komisioni, Raif Çela, ndërsa atë të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kryetari i tij, Naser Osmani.
Duke paraqitur qëndrimin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, lidhur me raportin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, deputeti Zafir Berisha prezantoi aktivitetet dhe punën e kësaj agjencie gjatë vitit të kaluar, si dhe rekomandimin për miratimin e raportit të saj. Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, raportin financiar para deputetëve e prezantoi Naser Osmani, duke vlerësuar se agjencia i ka përmbushur kushtet ligjore për raportim.
Në fund, drejtuesi i seancës, nënkryetari Hamiti, lexoi edhe propozimet e Grupit Parlamentar të Listës serbe, për zëvendësimin e anëtarëve të këtij grupi në komisionet parlamentare.
Në mungesë të kuorumit, votimi për projektligjet dhe raportet e shqyrtuara, si dhe për propozimin e GP të Listës serbe, do të bëhet të hënën, para fillimit të seancës plenare të radhës.