Lajmet e fundit

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Zenun Pajaziti, priti ambasadorin e OSBE-së, Jean-Claude Schlumberger

E Mërkure, 13.05.2015




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, kishte sot një takim me ambasadorin e OSBE-së, Jean-Claude Schlumberger. Kryetari i Komisionit, z. Zenun Pajaziti, e falënderoi ambasadorin për mbështetjen që OSBE-ja i ka dhënë institucioneve të Kosovës, përkatësisht komisioneve parlamentare, dhe njëherësh e njoftoi atë për aktivitetet e Komisionit.


Ambasadori përgëzoi Komisionin për aktivitetet, duke theksuar se qëllimi i takimit është vizita e komisioneve parlamentare, të cilat OSBE-ja i mbështet dhe u njoftua nga deputetët për sfidat e Komisionit, në mënyrë që të ndihmojë Komisionin për adresimin e tyre dhe për përkrahje. Ai gjithashtu e njoftoi Komisionin se fushat, të cilat i mbulon Komisioni parlamentar për qeverisje lokale, administratë publike dhe media janë fusha që drejtpërdrejt lidhen me mandatin e OSBE-së. Sa i përket vetëqeverisjes lokale, ambasadori tha se, meqë ekziston një prani unike në terren të çdo komuniteti, OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë çdo komune në fuqizimin e tyre, në përputhje me aspektin ligjor,lidhur me ngritjen e kapaciteteve të tyre.


Gjithashtu, z. Jean-Claude Schlumberger tha se OSBE-ja angazhohet edhe në monitorimin e kuvendeve komunale me projekte të ndryshme. Sa i përket fushës së mediave ai tha se kjo ka qenë pjesë esenciale e mandatit të OSBE-së dhe pikërisht kjo është duke monitoruar lirinë e mediave dhe transmetuesin publik. Ai theksoi se përgëzon Kuvendin e Kosovës për rekomandimet që ka dhënë për performancën dhe aspektin financiar të RTK-së, duke theksuar se qëndrueshmëria financiare është pikë kryesore e RTK-së. Ajo që është shqetësuese është trendi i sulmeve përsëritëse ndaj gazetarëve. Sa i përket digjitalizimit tha se në këtë proces punonjësit e OSBE-së do të jenë pjesë e grupeve punuese në aspektin mbikëqyrës, ndërsa do të kontribuojë edhe në monitorimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ligjin për OJQ-të.

 

 

 

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Zenun Pajaziti, priti ambasadorin e OSBE-së, Jean-Claude Schlumberger