Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

E Enjte, 14.05.2015




Në vazhdimin e mbledhjes plenare (të filluar më 6 maj), drejtuar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli (një pjesë të seancës e ka drejtuar nënkryetari Sabri Hamiti) kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, paraqiti kërkesën për debat në mbledhjen e sotme të Kuvendit, lidhur me ngjarjet e fundit në Kumanovë të Republikës së Maqedonisë.


Me këtë rast, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, si dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosoëvs, Ismet Beqiri, duke shprehur keqardhje të thellë për viktimat e ngjarjeve në Kumanovë, theksuan se është herët të debatohet për këtë çështje, meqë është e nevojshme të ketë informata shtesë. Ata kanë theksuar se pa informata të bollshme nuk mund të ketë një përfundim të drejtë për këtë situatë. Ndërkaq, Donika Kadaj- Bujupi, kryetare e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se është e padrejtë që të mos diskutohet në Kuvend për këtë çështje, meqë shtoi ajo, bëhet fjalë për qytetarë shqiptarë të vrarë atje dhe për mijëra banorë të sulmuar në Kumanovë. Kadaj tha se kërkojnë që informatat zyrtare të merren në Kuvend nga Qeveria. Edhe Zafir Berisha, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Nismës kërkoi që në Kuvendin e Kosovës të dilet me qëndrime zyrtare dhe rekomandime rreth ngjarjeve tragjike që po ndodhin ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ndërsa, për Listën Serbe kjo çështje duhet të trajtohet, por jo në mbledhjen e sotme.


Pas këtyre deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare reagoi deputeti Glauk Konjufca. Ai tha se kjo çështje është urgjente dhe se duhet trajtuar sot në Kuvendin e Kosovës. "Kemi zyrtarë të Qeverisë së Kosovës që kanë theksuar se kanë të gjitha informacionet dhe nëse Qeveria i ka, atëherë këtu është vendi për t'u shprehur informacionet dhe këtu Qeveria duhet t'i shprehte qëndrimet e veta", tha Konjufca, duke ritheksuar faktin se është më se i nevojshëm zhvillimi i debatit sot për këtë çështje.


Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për debat të sotëm rreth gjendjes së krijuar në Kumanovë, nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.


Kuvendi, është njoftuar nga kryeparlamentari Veseli për vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për zëvëndësimin e deputetit të subjektit politik Lista Serbe, Velimir Rakiq, nga deputeti Srgjan Popoviq.
Në vijim, deputetët kanë shqyrtuar Raportin e Auditimit për vitin 2013, të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Me këtë rast Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Artan Venhari, gjatë raportimit të tij në Kuvend, sqaroi se raporti është bazë për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien nga organizatat buxhetore dhe shpenzuesit e parasë publike.


"Raporti është i pamodifikuar dhe me theksim të çështjes dhe nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si janë adresuar rekomandimet. Çështjet që kërkojnë një trajtim të veçantë edhe nga Qeveria edhe nga Kuvendi është mënyra se si po trajtohet pasuria në vazhdimësi dhe se duhet të kërkohet më shumë llogari lidhur me shpenzimet që janë duke ndodhur", tha Venhari, duke sqaruar se ZAP-i ka realizuar 102 auditime, të rregullsisë dhe të përfomancës.


Kryetari i Komisionit për Mbikëyqrjen e Financave Publike, Besnik Bislimi, pasi ka paraqitur raportin me rekomandimet e komisionit lidhur me këtë çështje, kërkoi nga deputetët që të miratohen ato bashkë me raportin vjetor.


Mes tjerash, u kërkua nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masat rreth sistemit të pasurisë që të jetë në harmoni të plotë dhe të mundësohet shërbimi i të dhënave në sistem. Po ashtu, u kërkua nga qeveria që ta njoftojë Kuvendin edhe lidhur me trajtimin e borxheve, etj. Mes këtyre të gjeturave u përmend edhe regjistrimi i shpenzimeve me kode joadekuate.


Gjatë diskutimit të deputetëve sa i përket shpenzimit të parasë publike u kërkua që të gjeturat të mos përsëriten nga viti në vit dhe kërkuan implementim të plotë të rekomandimeve të komisionit.


Rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, dhe raporti vjetor i ZAP-it për vitin 2013, kanë marrë mbështetjen e deputetëve.


Ndërsa, Rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione, lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriqimin e fatit të Ukshin Hotit, (diskutimet për këtë çështje kanë përfunduar më 8 maj), nuk u përkrahën në mungesë kuorumi gjatë procesit të votimit.


Më tej Kuvendi ka përkrahur Raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2014, si dhe Raportin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2014, ndërkaq nuk u mbështet Raporti i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2014.


Deputetët në vijim kanë shqyrtuar dhe përkrahur edhe raportin financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2014, (të cilin e prezantoi ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi), raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Ekonomik-Social, si dhe raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Investimet e Huaja.


Kuvendi me shumicë votash mbështeti edhe rekomandimet e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, lidhur me gjendjen e arsimit në Luginë të Preshevës, pas debatit të zhvilluar në seancën e mbajtur më 8 maj, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë tjerë.

Krejtësisht në fund, Kuvendi formoi edhe Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshllit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

 

 

Nga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenare