Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë në shënimin e ditës së shtetësisë së Malit të Zi

E Enjte, 14.05.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në ceremoninë e cila u organizua sot në Institucionin e Arsimit Universitar AAB në Prishtinë, me rastin e 9-vjetorit të shtetësisë së Malit të Zi.
Në fjalën e tij para studentëve dhe profesorëve të këtij kolegji, përfaqësuesve të jetës politike-institucionale e kulturore të Malit të Zi, si dhe ambasadorëve të vendeve të ndryshme në Kosovë, kryeparlamentari Veseli bëri një elaborim të marrëdhënieve që Kosova dhe Mali i Zi kultivojnë ndërmjet tyre, si dhe të rëndësisë që kishte pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006 për procesin e pavarësisë së Kosovës.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se të dyja vendet janë duke jetuar një epokë të re marrëdhëniesh, të bazuara mbi parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë. Nisur nga ky fakt, sipas kryetarit Veseli, sot mund të konstatohet se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi janë një shembull shumë pozitiv për të gjithë rajonin dhe më gjerë.
"Pavarësia e Malit të Zi, e konfirmuar nga vullneti i popullit në vitin 2006, ka qenë pa diskutim një ngjarje progresive për paqen, stabilitetin dhe forcimin e demokracisë në Ballkanin perëndimor", theksoi kryetari Veseli, ndërsa shtoi se shtetësia e këtij vendi ishte një argument edhe më shumë se çdo projekt i vazhdimësisë së ish-Jugosllavisë, ishte historikisht i tejkaluar dhe politikisht i rrezikshëm. Jugosllavia komuniste kishte vdekur, tha në vazhdim kryeparlamentari Veseli, ndërsa përpjekja që nën emrin e saj të ndërtohej një shteti ri jugosllav, ku hegjemoninë do ta kishte Beogradi, pati pasoja fatale për popujt e ish-Jugosllavisë.
Në vijim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit tha se pavarësia e Malit të Zi e vitit 2006, duke ndodhur pikërisht në momentet e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ka ushtruar një ndikim pozitiv, duke dhënë argument shtesë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe i domosdoshëm, politikisht dhe historikisht.
"Nëse vetë qytetarët e Malit të Zi, që nuk kishin përjetuar dhunën e ushtrisë së Millosheviqit, nuk dëshironin që të jetojnë nën një çati politike me Beogradin, pse duhej kërkuar diçka e tillë nga ne kosovarët, që sapo kishim lënë pas një luftë me mijëra viktima, me 1 milion të dëbuar dhe me vendin e shkatërruar", u shpreh kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se pavarësia e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi ishin goditje finale të projekteve të nacionalizmit serb për hegjemoni dhe si të tilla një faktor emancipimi për vet Serbinë.
Me pavarësinë e Kosovës dhe të Malit të Zi, theksoi z. Veseli, Serbia ka fituar shansin për të kuptuar se mirëqenia e kombit serb nuk qëndron në sundimin mbi të tjerët, por tek zhvillimi i brendshëm demokratik dhe raportet e mira me fqinjët. Duke mos e njohur Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdon të mbahet i kapur nga e kaluara dhe ky është një shërbim i keq që i bëhet vet popullit serb.
"Ne sot jemi të lumtur që Prishtina dhe Podgorica ndajnë të njëjtat pikëpamje mbi nevojat aktuale të rajonit dhe të ardhmen e tij. Mbi këtë bazë, të dy vendet tona janë duke zhvilluar marrëdhënie shumë të mirë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët", tha ndër të tjera kryetari Veseli.