Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik

E Mërkure, 13.05.2015




Në përpjekje për të nxjerrë një ligj sa më adekuat për digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit, mbajti sot dëgjim publik.

Në fillim të këtij debati në të cilin morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), të Komisionit të Pavarur për Media dhe përfaqësues të shumtë të mediave elektronike, fillimisht u njoftua se grupi punues për amendamentimin e këtij projektligji përbëhet nga anëtarët e dy komisioneve: Komisionit për Zhvillimit Ekonomik dhe atij për Administrat Publike.

Përfaqësuesi i televizionit "Klan Kosova", Baton Haxhiu dhe ai i televizionit "Rrokum" Migjen Kelmendi, duke i paraqitur vërejtjet e tyre lidhur me projektligjin u shprehën të habitur se në të janë të favorizuar disa nga mediumet elektronike, siç janë RTV 21 dhe KTV, të cilat sipas tyre, padrejtësishtë cilësohen si historike. Nuk duhet, u shprehën ata, që në projektligj të ketë nocione që në mënyrë të përveçshme kategorizojnë disa nga mediumet. "Procesi i digjitalizimit, përkatësisht Ligji, duhet t'iu japë fund praktikave preferenciale mediatike" u shpreh me këtë rast përfaqësuesi i televizionit "Rrokum", Kelmendi.

Përfaqësuesja e "RTV21" Afërdita Kelmendi, u angazhua që projektligji të sigurojë konkurrencë reale për të gjithë operatorët, ndërkaq, vlerësoi se opinioni publik e bën vlerësimin më të saktë të transmetuesve televizivë. Ajo foli për koston implementuese që bart projektligji, përvojën rreth kësaj fushe dhe shtoi se ligji duhet t' iu sigurojë mundësi zhvillimi të gjithë operatorëve.

Duke folur për këtë projektligj, përfaqësuesja nga televizioni" Koha", Flaka Surroi, u angazhua që të evitohet kolezioni në mes të Strategjisë për Media dhe Ligjit, ndërkaq, vlerësoi se nuk është analizuar qëndrueshmëria e ndryshimit të teknologjisë, të cilën aktualisht e përdorin televizionet për emetimin e programeve.

Drejtori i Bordit të RTK-së Mentor Shala, u shpreh se është e panevojshem që njëkohësisht të trajtohet projektligji dhe Strategjia për Media, ndërkaq kërkoi që në grup punues për amendamentimin e projektligjit të marrin pjesë përfaqësues dhe ekspertë të fushës.

Në favor të projektligjit, ndërkaq, u shpreh edhe drejtuesi i ARKEP-it, Ekrem Hoxha.

Rreth këtij projektligji foli edhe përfaqësuesi i TV" Tema" Visar Hoti, ai i TV" Mitrovica", Nexhmedin Spahiu, si dhe përfaqësuesja e MZHE-së Marcela Restelica, e cila vlerësoi se projektligji është i bazuar në praktikat më të mira të shteteve të BE-së.

Në fund të debatit, anëtarët e komisionit u shprehën të gatshëm për bashkëpunim, ndërkaq, premtuan se vërejtjet dhe rekomandimet e dala gjatë debatit do të shqyrtohen në grupet punuese.

 

 

 Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik  Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik