Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 13.05.2015




Raporti lidhur me procesin e monitorimit të realizimit të planit të të hyrave për tremujorin e parë të vitit 2015 të Doganave të Kosovës, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Para anëtarëve të Komisionit, drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, foli gjerësisht për parametrat financiarë të këtij institucioni gjatë tremujorit të parë të këtij viti, i cili theksoi se është praktikë e mirë e raportimit para Komisionit për ecuritë e buxhetit të Doganave të Kosovës, që është edhe shenjë e transparencës. Në vijim ai tha se në vitin e kaluar ky institucion bëri reformë, e cila solli rezultate. Ndërkaq, duke folur për ecuritë afariste ai tha se të hyrat e përgjithshme të Doganave të Kosovës në tremujorin e parë të këtij viti ishin 2 për qind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit 2014. Një tjetër e arritur, tha z. Rafuna, është fakti që Doganat e Kosovës e kanë nën mbikëqyrje dhe kontroll tërë territorin e Kosovës. Këto ecuri pozitive kanë bërë, tha ai, që Doganat e Kosovës çdo vit të rrisin të ardhurat nga 40 deri 50 milionë euro. Përkitazi me çështjen e kuadrit, ai tha se Doganat e Kosovës aktualisht kanë nevojë edhe për 150 doganier të rinj.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin e Administratës Tatimore të Kosovës, lidhur me procesin e monitorimit të realizimit të planit të të hyrave për tremujorin e parë të vitit 2015, të cilin e paraqiti, drejtori i këtij institucioni, Behxhet Haliti, i cili theksoi se Administrata Tatimore vazhdoi trendin pozitiv financiar, që e dëshmon fakti se të ardhurat e tremujorit të parë të këtij viti janë 12 për qind më të mëdha se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Duke u përgjigjur në interesimet dhe pyetjet e deputetëve ai tha se është bërë punë e madhe edhe kundër ekonomisë joformale, madje për këtë, tha ai, nuk shkohet nga rasti në rast, por ekziston një plan strategjik. Në aspektin e luftimit informalitetit, ai theksoi se ky institucion është model në Rajon.

Në vijim anëtarët e Komisionit shqyrtuan në parim, Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale, të cilin para Komisionit e paraqiti zëvendësministri i Ministrisë së Financave,Agim Krasniqi, i cili theksoi se ky Projektligj është njëri nga tri projektligjet që ka hartuar Ministria e Financave, dy nga të cilët po shqyrtohen në këtë mbledhje , ndërsa së shpejti pritet të vijë para Komisionit edhe Projektligji për TVSH-ën. Ai pastaj foli gjerësisht për përmbajtjen Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, me të cilin synohet të rregullohet sistemi i tatimit në të ardhurat personale në Kosovë. Në përmbyllje të shqyrtimit ky Projektligj u përkrah dhe u procedua më tej në Kuvend.

Z. Krasniqi para Komisionit prezantoi edhe Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, duke theksuar se në tekstin e tij , të hartuar nga Ministria e Financave, janë qartësuar e definuar mirë dispozitat e Projektligjit dhe janë evituar dykuptimsitë. Edhe ku Projektligj u përkrah në parim nga ana e Komisionit dhe njëherësh u procedua tutje në Kuvend.

Në emër të Institutit Gjyqësor të Kosovës,Raportin vjetor financiar për vitin 2014 e paraqiti, drejtori i tij, Lavdim Krasniqi, i cili thekoi se buxheti i këtij Instituti është realizuar 98,5 për qind, mjete këto që kanë ndihmuar për sendërtimin e të gjitha aktiviteteve të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Komisioni përkrahu Raportin dhe e rekomandoi për miratim në Kuvend.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa