Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit

E Mërkure, 13.05.2015




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar propozim amendamentin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me Gjykatën Speciale.
Fillimisht, kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu, duke paraqitur qëndrimin kundër përkrahjes së këtij amendamenti, tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i është bashkangjitur këtij amendamenti është i padrejtë dhe jo kushtetues, pavarësisht faktit se është nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese.
Duke folur për krijimin e Gjykatës Speciale tha se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim dhe përmes krijimit të kësaj gjykate po shtrembërohet e vërteta për luftën e UÇK-së, tha Haxhiu.
Ajo, mes tjerash shtoi se kjo gjykatë është jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme për të kaluarën dhe të ardhmen e Kosovës dhe se nuk duhet të lejohet që të diskreditohet lufta për çlirim.
Haxhiu kërkoi nga anëtarët e komisionit që t'i rekomandohet seancës së Kuvendit të mos e përkrahë këtë amendament.
Ndërsa, Armend Zemaj, tha se bazuar në Rregulloren e Kuvendit, Komisioni duhet t'i përcjellë amendamentet në seancë dhe pastaj për këtë çështje do të vendosë Kuvendi dhe se vota e tyre do të deklarohet në seancë.
Anëtarja e Komisionit Donika Kadaj - Bujupi duke kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale, vlerësoi se institucionet e Kosovës duhet që të fuqizojnë rolin e gjyqësorit në vend. Kadaj-Bujupi tha se nuk duhet të përkrahet një e keqe e cila do të na kushtojë shumë dhe nuk do të përmirësojë imazhin e vendit. Ajo kërkoi që të mos hiqet dorë nga sovraniteti i vendit.
Ndërsa, Fatmir Limaj, duke kërkuar po ashtu nga Komisioni që të mos përkrahet kjo çështje, vlerësoi se për krijimin e Gjykatës Speciale nuk ka bazë ligjore dhe se ky është krim ndaj Kosovës dhe cenim i sovranitetit të vendit. Ai tha se kjo gjykatë nuk ndihmon në ndërtimin e shtetit dhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Doruntinë Maloku, vlerësoi se nëse një gjë e tillë nuk do të përkrahet nga vendi ynë, kjo do të bëhet nga Këshilli i Sigurimit, ndërsa shtoi se sistemi i drejtësisë në vend ka dështuar krejtësisht dhe se Gjykata Speciale vjen si pasojë e dështimit të institucioneve të Kosovës. Maloku vlerësoi se lufta e popullit për liri e pavarësi nuk do të njolloset nga askush, duke shtuar se duhet t'i tregojmë botës se ne nuk i ikim drejtësisë dhe nuk i frikësohemi asaj.
Ndërsa, nënkryetarja e Komisionit, Selvije Halimi duke theksuar fillimisht faktin se ky dokument duhet të procedohet në seancë dhe se Kuvendi do të vendosë për këtë çështje, tha se duke u nisur nga e kaluara nuk sheh se preket sovraniteti i Kosovës. Ndërkaq, shtoi se duhet të kontribuohet që të evitohet ajo dilemë që është krijuar për pjesëtarët e UÇK-së. "Për këtë duhet të kontribuojmë ne, nëse duam që të shohim çdo pjesëtar të UÇK-së që ai të ndjehet ashtu siç është, çlirimtar. Të mobilizohemi dhe të mos lejojmë shantazh dhe politizim të këtij procesi", u shpreh Halimi.

Pas një diskutimi të gjerë, anëtarët e komisionit me shumicë votash përkrahën procedimin e këtij amendamenti në seancë plenare.

Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe shqyrtimi i Projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe verifikim të pronës, mirëpo për këtë çështje u vendos që të mbahet një dëgjim publik dhe të ftohet për raportim ministrja e Ministrisë pa Portofol, Edita Tahiri.