Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Marte, 12.05.2015
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të premten, më 15 maj, ndërkaq ditën e hënë, më18 maj, të mbahet seancë e re, në të cilën do të shqyrtohen projektligje që lidhen me procesin e liberalizimin e vizave.
Në seancën e të premten, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, do të shqyrtohen për herë të parë tri projektligje: Projektligji për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, Projektligji për shërbimin mjekësor emergjent dhe Projektligji për shëndetin mendor. Më pas, deputetët do të shqyrtojnë katër raporte të institucioneve të pavarura për vitin 2014: raporti i Komisionit të Pavarur për Media, raporti i Agjencisë kundër Korrupsionit, raporti i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe ai i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në këtë seancë pritet të zgjidhen edhe dy anëtarë joekzekutivë në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Do të procedohet gjithashtu, propozimi i Grupit Parlamentar të Listës serbe për emërimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe propozimi i po këtij grupi, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet Parlamentare.
Në seancën e të hënës, ndërkaq, do të shqyrtohen në parim gjashtë projektligje, pjesë e pakos së projektligjeve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Kështu, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për gjykatat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjimin e telekomunikimeve dhe atë për kompensimin e viktimave të krimit.
Në këtë mbledhje, Kryesia vendosi që më 2 korrik, Kuvendi të mbajë seancë solemne, për shënimin e 25 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Po ashtu, Kryesia u njoftua me dorëheqjen e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jasmina Zhivkoviq nga kjo pozitë, si dhe me shkresën e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Buxhetin e katër komunave veriore të Kosovës për vitin 2015.
Kryesia u njoh edhe me informatën lidhur me procesin e Privatizimit të N. Sh. "Fabrikës së Amortizatorëve" në Prishtinë në raundin 45-A të Privatizimit dhe të njëjtën ia dërgoi për njoftim Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia, njëzëri i vazhdoi kontratën e punës sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi, për periudhën pasuese trevjeçare.