Lajmet e fundit

Deklaratë e kryetarit Veseli lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni

E Shtune, 09.05.2015




 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një deklarate, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, ka shprehur shqetësimin dhe njëherësh pikëllimin e thellë për ngjarjet e sotme në Maqedoni dhe humbjen e jetëve njerëzore.

Në deklaratën e kryetarit Veseli thuhet:

“Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij për ngjarjet e sotme në Kumanovë të Republikës së Maqedonisë dhe pikëllimin për humbjen e jetëve njerëzore në këtë ngjarje.

Ne besojmë se institucionet e shtetit maqedon e kanë gjithë vullnetin dhe kapacitetet që problemet politike dhe tensionet eventuale etnike të trajtohen me maturi dhe mjete demokratike.

Dhuna nuk është zgjidhje në asnjë rrethanë dhe për askënd. Ne, besojmë gjithashtu se faktori politik shqiptar në Maqedoni është në nivelin e përfaqësimit adekuat të brengave dhe interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe do të gjej rrugët për tejkalimin e situatave të ngjashme me racionaltet e pjekuri politike.

Paqja dhe fqinjësia e mirë janë interes vital i të gjithë shqiptarëve në rajon“.

Kryetari Veseli.