Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Enjte, 07.05.2015
Në vazhdimin e sotëm të seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 7 majit, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, u bë shqyrtimi i pikave vijuese të rendit të ditës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fillim përshëndeti kongresistin amerikan z. Earl Pomeroy, i cili po merr pjesë në punimet e kësaj seance.
Deputetët shqyrtuan për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të cilin para deputetëve e prezantoi deputetja Vjosa Osmani, e cila theksoi se iniciativën për të bërë këtë Projektligj e ka ndërmarrë Shoqata qytetare, ndërsa është nënshkruar nga 13 mijë qytetarë. Me këtë Projektligj bëhet amendamentimi i nenit 69.
Duke folur për këtë Projektligj, ministri i Financave, Avdullah Hoti vlerësoi se është e drejtë kërkesa e qytetarëve për amendamentimin e nenit 69, pasi ka nevojë të zgjerohet më tej çështja e kompensimit të qytetarëve, pasi ligji trajtonte vetëm kompensimin e dëmeve materiale e fizike. Pas debatit të gjerë Projektligji u miratua në parim.
Kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli, pastaj propozoi që të kryhet procesi i votimit për projektligjet që u shqyrtuan dje, të cilat në mungesë kuorumi mbetën pa u votuar. Deputetët miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, Projektligjin për armë dhe Projektligjin për Letërnjoftim.
Në vijim deputetët vazhduan shqyrtimin e Projektligjit për Avokatin e Popullit, Projektligjin për barazinë gjinore , si dhe Projektligjin për mbrojtje nga diskriminimi, të cilat para deputetëve i prezantoi Arban Abrashi. Gjatë prezantimit të Projektligjit për barazi gjinore ministri Abrashi, theksoi se më këtë ligj rriten hapësirat e vlerësimit dhe veprimit për zbatimin e ligjit dhe bëhet një vlerësim më i drejtë i grave në proceset e zhvillimit ekonomik dhe administrativ të Kosovës, si dhe në atë të vlerësimit pronësor.
Kryetarja e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi theksoi se Projektligji duhet të përmirësohet edhe më tej, pasi ka raste të mos vlerësimit dhe të diskriminimit të punonjësve nga radhët e grave në institucione. Pas përfundimit të debatit, të tri këto projektligje u miratuan në parim nga Kuvendi.
Gjithashtu u miratua në parim edhe Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore, debati i të cilit është kryer në seancën e 16 prillit 2015. Ndërkaq, nuk u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat.
Në vijim të mbledhjes deputetët shqyrtuan në lexim të parë Projektligjin për Digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore, i cili u prezantua nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arben Abrashi. Ai theksoi se me këtë Projektligj avancohet mundësia për digjitalizimin tokësor të operatorëve transmetues.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri Muhamet Mustafa, tha se Komisioni ka rekomanduar miratimin e këtij Projektligji për vlerën që përbën materia e tij, për kthim në pasuri kombëtare të frekuencave të transmetimit dhe përmirësimit cilësor të hapësirave drejt digjitalizimit të transmetuesve radio difuzive tokësore.
Projektligji për Digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore mori përkrahje në parim nga deputetët e Kuvendit.
Gjithashtu, u përkrah në parim edhe Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të Gjykatës ose Panelit për Lirim me Kusht .
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (diskutimi për këtë çështje ka përfunduar më 16 prill). Megjithatë, nuk pati vota të mjaftueshme të deputetëve për emërimin e këtyre anëtarëve.
Tutje, u shqyrtua rekomandimi i Komisionit për të drejtat e njeriut, Barazi gjinore, personat e pagjetur dhe peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Me këtë rast, kryetarja e këtij Komisioni, Lirije Kajtazi, pasi bëri një rezyme për jetën dhe aktivitetin e Ukshin Hotit, mes tjerash insistoi nga qeveria që të kërkohet ushtrimi i presionit ndërkombëtar mbi institucionet serbe për zbardhjen e zhdukjes së Ukshin Hotit, si edhe për të gjithë personat e tjerë të pagjetur.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, si edhe për të gjithë të pagjeturit këmbënguli në papranueshmërinë e idesë që çështja e të pagjeturve të trajtohet si çështje në bisedimet Kosovë-Serbi. Sipas tij, ajo duhet të trajtohet si detyrim i institucioneve serbe dhe të jetë edhe obligim ndërkombëtar për Serbinë.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se problemi i ndriçimit të fatit të të pagjeturve ka qenë dhe mbetet një obligim qytetar dhe politik i PDK-së, ndërsa kërkoi edhe njëherë sensibilizimin e institucioneve shtetërore, duke shtuar që çështja të trajtohet me seriozitet dhe të trajtohet si detyrim shtetëror, moral dhe me vlerë kombëtare.
Deputetët e Kuvendit gjatë diskutimit të tyre mes tjerash theksuan se Ukshin Hoti ishte një personalitet me dimensione të jashtëzakonshme intelektuale në fushën e vetëvendosjes së kombeve dhe zbardhja e zhdukjes së tij duhet të trajtohet si zhdukje e personaliteteve me përmasa botërore.
Pasi një diskutimi të gjerë, deputetët u dakorduan që këtë çështje ta shqyrtojnë gjatë ditës së nesërme, kur pritet të bëhet harmonizimi i rekomandimeve dhe miratimi i tyre.
Kuvendi vazhdon punimet nesër, duke filluar nga ora 10:00.