Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Mërkure, 06.05.2015




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeparlamentari , Kadri Veseli, (pjesë të seancës, ndërkaq, kanë drejtuar nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti), një numër deputetësh shprehën shqetësime lidhur me çështje të ndryshme aktuale në Kosovë dhe shtruan pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës. Shumë pyetje të shtruara nuk kanë marrë përgjigje për shkak të mos pranisë në seancë të disa drejtuesve të Qeverisë dhe të kabinetit qeveritar, por kanë munguar edhe disa nga deputetët që paraprakisht i kishin evidencuar në Administratën e Kuvendit pyetjet e tyre për kabinetin qeveritar.

Zëvendëskryeministri, Kujtim Shala, para se deputetët të miratonin rendin e ditës , në emër të Qeverisë , ka kërkuar tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik (në shqyrtimit të dytë), si dhe të Projektligjit për trashëgiminë kulturore ,që ka shkaktuar reagimet e disa deputetëve, sidomos të atyre nga radhët e opozitës. Kanë pasuar kundërreagime dhe replika nga zv.kryeministri Shala me deputetë.

Në vazhdim të seancës ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka prezantuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA. Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, e ka paraqitur raportin me rekomandime për këtë projektligj duke i dhënë përkrahje ratifikimit të tij edhe në emër të LDK-së. Përkrahje këtij projektligji i kanë dhënë edhe grupet parlamentare : Safete Hadërgjonaj, në emër të PDK-së, Ilir Deda (VV), Bali Muharremaj ( AAK), Valdete Bajrami ( NISMA), Sasha Millosavleviq (Lista Serbe), si dhe Qerim Bajrami ( 6+).
Para fillimit të votimit të këtij projektligji kyeparlamentari Veseli ka sqaruar deputetët se për miratim duhen së paku 80 vota. Të 80 deputetët e pranishëm në seancë kanë votuar për.

Duke proceduar me emërimin e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit funksional, ka thënë se të gjithë anëtarët e propozuar i kanë cilësitë e nevojshme për t'u zgjedhur (nga tetë anëtarët të propozuar duhet të zgjidheshin katër nga ata, me votim të fshehtë).

Kryesuesi i Komisionit votues, Hajdar Beqaj, i ka njoftuar deputetët se në raundin e parë të votimit, votat e nevojshme për anëtarë të Bordit të KPMM-së i kanë fituar Musa Shabani dhe Fitim Kutllovci. Në raundin e dytë ka fituar Kemajl Zeqiri, kurse në raundin e tretë, besimin e deputetëve e ka marrë edhe Azem Rexha.

Seanca ka vazhduar me shqyrtimin e parë të disa projektligjeve. Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, e ka prezantuar ministri Yagcilar, i cili ka theksuar se festat që bien gjatë ditëve të uikendi, nuk do të barten në ditët e punës, se festa e Ditës së Evropës do të jetë vetëm memoriale. Janë paraparë, ndërkaq edhe festa memoriale për komunitetet: kroat, malazias dhe egjiptas.

Në emër të komisionit funksional raportin me rekomandime e ka paraqitur Deputeti Zenun Pajaziti.

Mbështetje projektligjit i ka dhënë Xhevehire Izmaku (në emër të Grupit Parlamentar PDK-së), siç i ka dhënë përkrahje edhe Melihate Tërmkolli (LDK). Shqipe Pantina (VV) ka pasur vërejtje në mënyrës se si është përgatitur Projektligji, prandaj ka thënë ajo grupi i saj parlamentar nuk do ta mbështesë. Vërejtje në projektligj ka pasur edhe Pal Lekaj (AAK). Zafir Berisha (NISMA), e ka mbështetur këtë projektligj. Shumë nga deputetët kanë kërkuar, ndërkaq, që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare në Kosovë. Është kërkuar gjithashtu që të përfshihen në Projektligj edhe Dita e çlirimit të Kosovës, Dita e dëshmorëve dhe Dita e të pagjeturve. Për mungesë të kuorumit të nevojshëm të deputetëve, Projektligji shtyhet për votim në një ditë tjetër.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në emër të Qeverisë e ka prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri. Në emër të Komisionit funksional raportin me rekomandime e ka paraqitur deputeti Nuredin Ibishi. Më pastaj përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me projektligjin. Me votë unanime të deputetëve projektligji në fjalë është miratuar në parim. Autorizohen komisionet e përhershme dhe ai funksional që ta shqyrtojnë Projektligjin dhe të përgatisin amendamentet për të.

Edhe Projektligjin për armë,në emër të ministrit të Brendshëm, Skënder Hyseni, e ka prezantuar ministri i Shëndetësisë, Rrahmani. Rexhep Selimi ka folur në emër të Komisionit funksional, duke tërhequr vëmendjen që çështja të trajtohet shumë më seriozisht. Raportin me rekomandime të Komisionit, ndërkaq e lexuar, Fadil Dmaku, i cili edhe në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, i ka dhënë mbështetje këtij projektligji, siç i ka dhënë edhe Nuredin Ibishi( LDK). Zahir Berisha ( NISMA), ndërkaq ka tërhequr vëmendjen që kur të miratohet një projektligj i tillë, domosdo duhet të jetë i pranishëm edhe ministri i resorit. Mbështetje Projektligjit i ka dhënë edhe Qerim Bajrami ( 6+).

I njëjti ministër e ka prezantuar edhe Projektligjin për Letërnjoftim. Fadil Demaku e ka paraqitur raportin e Komisionit funksional, duke i dhënë mbështetje projektligjit në fjalë. Mbështetje projektligjit i kanë dhënë në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Ganimete Musliu, pastaj Ali Sadriu ( në emër të LDK-së), si dhe Qerim Bajrami ( 6+).

Meqë deputetët nga radhët e opozitës e kanë braktisur seancën, nuk ka pasur kuorum për t'i votuar këto tri projektligje.

Seanca i vazhduar punimet nesër në orën 10:00.

 

 

 

 

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit