Lajmet e fundit
Mbledhja e përbashkët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe e Komisionit për Legjislacion
E Marte, 05.05.2015
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e sotme të përbashkët kanë diskutuar lidhur me kontestet biznesore dhe adresimin e tyre në gjykata. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të Aleancës Kosovare të Biznesit, USAID-it, Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës, të cilët konstatuan pakënaqësinë lidhur me mungesën e një funksionimi të mirëfilltë të gjykatave sa i përket kontesteve biznesore. Me këtë rast u përmendën lëndët e papërfunduara dhe të zgjatura me vjet, nga ana e gjykatave, ndërsa u paraqitën një sërë rekomandimesh në mënyrë që të krijohet një klimë më e mirë për investime. Një shqetësim tjetër që u ngrit gjatë këtij takimi ishte edhe çështja e përmbaruesve privat.
Anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit të tyre paraqitën shqetësimin lidhur me mosprezencën në këtë takim të përfaqësuesve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa theksuan se kjo çështje duhet të shqyrtohet bashkërisht me përfaqësues të KGJK-se dhe të Ministrisë së Drejtësisë në një mbledhje tjetër.
Me këtë rast ata vlerësuan se duhet të ndryshohet klima e biznesit dhe se duhet identifkuar problemet në këtë fushë. Ndërsa, nga kryetarët e këtyre dy komisioneve u përmend fakti se rekomandimet e dala nga ky diskutim do të adresohen në mbledhje të Kuvendit.
Disa nga anëtarët e Komisionit shqetësim të radhës përmendën edhe mbylljen e shumë bizneseve.
Pas një diskutimi të gjerë, u tha se detyrë kryesore e deputetëve dhe e Qeverisë duhet të jetë gjetja e një rrugëdalje për këtë çështje dhe se duhet të kërkohet nga institucionet gjegjëse aftësimin e gjyqtarëve. Me theks të veçantë u kërkua që KGJK-ja të rrisë numrin e gjyqtarëve, gjykatat të jenë më efektive dhe të ketë gjykatës të specializuar për çështje ekonomike. Në këtë frymë, u tha se duhet të rishikohen edhe ligjet dhe të definohet afati i zgjatjes së lëndëve dhe të ketë barazi dhe zbatim të kontratave.