Lajmet e fundit
U mbajt sesioni i parë i Takimit të shtatë ndërparlamentar Parlamenti Evropian Kosova
E Mërkure, 29.04.2015
Nën udhëheqjen e përbashkët të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe kryesuesit të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kosovën, Tonino Picula, sot pasdite është mbajtur në Strasburg sesioni i parë i takimit të shtatë ndërparlamentar: Parlamenti Evropian - Kosova.
Kryetari Veseli i shprehu mirënjohje Parlamentit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë Republikës së Kosovës në këtë rrugëtim dhe për kuptimin e drejtë të realitetit të ri të krijuar në Ballkan. Ai kërkoi gjithashtu, që PE-ja të vazhdojë mbështetjen në fushat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, liberalizimit të vizave dhe iniciativave evropiane dhe rajonale. Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës diskutuan edhe për çështje që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë etj.
Në tri diskutimet e zhvilluara në këtë sesion nga ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, drejtori i Ballkanit Perëndimor, Jean-Eric Paquet në emër të Komisionit Evropian, si dhe kryesuesi i Divizionit të Ballkanit Perëndimor, Eduard Auer në emër të Shërbimit të Jashtëm për Veprim Evropian, u fol prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përmbylljen e dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, luftimin e krimit te organizuar dhe korrupsionit, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë etj.
Delegacioni parlamentar i Kosovës kryesohet nga kryetari i Kuvendit, z. Veseli, ndërsa në përbërje të tij janë tre nënkryetarë të Kuvendit: Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Aida Dërguti, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane Teuta Sahatqija, deputeti nga radhët e Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, Haxhi Shala, anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Ganimete Musliu dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
Takimi vazhdon edhe nesër dhe do të përfundojë me një rezolutë të përbashkët. Takimi i radhës do të mbahet vitin e ardhshëm në Kosovë.