Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Mërkure, 29.04.2015
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetari Fikrim Damka, diskutoi për gjendjen mjedisore në rajonin e Drenasit, si pasojë e ndotjes së mjedisit nga ndërmarrja "Feronikli".
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH) Ferid Agani, i cili njoftoi për situatën dhe cilësinë e ajrit atje . Ai sqaroi se gjatë mandatit të tij katër mujor si ministër, ka evidentuar të arriturat dhe ngecjet në këtë ministri, ndërkaq, u shpreh i përkushtuar se do të ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar një ambient sa më cilësor të ambientit. Sa u përket ngecjeve në këtë fushë, ai numëroi tri çështje thelbësore të cilat ndikojnë në një ambient të pastër. "Moszbatimi i Udhëzimit Administrativ i vitit 2011, çështja e licencave të integruara dhe mungesa e buxhetit për mirëmbajtjen e aparaturës së monitorimit të cilësisë së ajrit, janë çështje që duhet trajtuar me urgjencë nga ministria", tha ai. Për sa i përket cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, foli drejtori i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina. Ai tha se cilësia në këta element mjedisor është e parametrave të pranueshëm dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve, por, tha ai, mungesa e mjeteve buxhetore për mirëmbajtjen e aparaturës paraqet problem serioz për monitorimin e cilësisë së ajrit. Sa i përket cilësisë së ajrit në rajonin e Drenasit, si pasojë e ndotjes së mjedisit nga kompania, "Feronikli", çështje kjo e ngritur nga deputeti Shaip Muja, drejtori i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Morina, sqaroi se për mungesë të aparaturës, gjatë vitit të kaluar nuk është bërë vlerësimi i cilësisë së ajrit. Por, vijoi ai, cilësia e ajrit në këtë lokalitet është bërë nga vet kompania, e cila për këtë çështje ka të kontraktuar Laboratorin "Tehno Lab", i cili posedon licencë ndërkombëtare. Sipas analizave të këtij laboratori, sqaroi tutje ai, ka rezultuar në parametra normale të cilësisë së ajrit.
Deputeti Muja, ndërkaq, u shpreh i bindur se Ministria ka bërë pak lidhur me këtë problematikë dhe kërkoi angazhim edhe më të madh në këtë fushë. Ai po ashtu, vlerësoi se lidhur me këtë çështje komisioni duhet të formojë një grup punues për hulumtimi dhe informim më të detajuar për këtë problematikë.