Lajmet e fundit
Një delegacion i Komisioni për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës vizitoi Çekinë
E Marte, 28.04.2015
Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës sot qëndroi për vizitë zyrtare në Pragë. Me këtë rast ky delegacion zhvilloi takime të ndara me Komitetin për Çështje Evropiane të Senatit dhe Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë.
Delegacioni në përbërje nga Qerim Bajrami, nënkryetar i dytë i Komisionit, dhe Blerta Deliu-Kodra e Zafir Berisha, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte sot një takim me Komitetin për Çështje Evropiane të Senatit Çek, i kryesuar nga senatori Jaroslav Doubrava, nënkryetar. Deputetët nga Kosova e njoftuan palën çeke me proceset e shtetndërtimit të brendshëm, forcimin e subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova. Përfaqësuesit e Senatit ofruan përkrahje të vazhdueshme për proceset eurointegruese të Kosovës.
Kosova do të përkrahet gjithashtu edhe nga Dhoma e Deputetëve të Parlamentit të Çekisë. Në takimin tjetër me Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve, udhëhequr nga kryetari Karel Shvarcenberg, u shpreh gjithashtu përkrahja çeke për aspiratat e evropiane të Kosovës.
Në të dy takimet pala çeke siguroi se nuk do të mungojë mbështetja për Kosovën dhe aspiratat e saj evro-atlantike. Të dy palët u pajtuan se me anë të diplomacisë parlamentare mund të kalohet më shpejt në fazën e intensifikimit të bashkëpunimit mes institucioneve parlamentare të dy vendeve.
Delegacioni i Kosovës i falënderoi përfaqësuesit e Parlamentit të Republikës së Çekisë për përkrahjen e institucioneve çeke në proceset e integrimeve evropiane.