Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 29.04.2015




Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2014, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Para Komisionit këtë Raport e paraqiti drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, i cili foli gjerësisht për parametrat e veprimtarisë financiare të këtij institucioni. Gjatë debatit, si kryetari i Komisionit, Naser Osmani, ashtu edhe anëtarët e Komisionit, e vlerësuan Raportin të mirë, duke propozuar njëherësh që ky Raport të përkrahet dhe të procedohet tutje në Kuvend.

Në vijim të mbledhjes u shqyrtua Raportit vjetor financiar i Komisionit të Pavaur për Media për vitin 2014, për të cilin foli, Adnan Merovci,kryetar i KPM-ës, i cili në fillim theksoi se buxheti i këtij Komisioni për vitin që shkoi ishte diçka mbi 1,4 milion euro. Pasi theksoi se gjithnjë e më shumë po shtohet volumi i punëve të këtij Komisioni, duke e ilustruar këtë edhe me faktin se numri i mediave në vitin 2015 në Kosovë është trefishuar, theksoi se nga ana financiare KPM-ja është në një pozitë shumë të vështirë, e cila duhet të përmirësohet me rishikim të buxhetit të Kosovës. Në përmbyllje të debatit edhe ky Raport u procedua tutje në Kuvend.

Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2014, ishte pikë vijuese e mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Parametrat vjetor financiar dhe ecuritë e gjithmbarshme të këtij Agjensioni i paraqiti, drejtori Hasan Preteni, i cili tha se buxheti vjetor për vitin 2014 i këtij institucioni ishte rreth 500 mijë euro. Gjendja jo e mirë financiare , tha më tutje, z. Preteni, po ndikon edhe në çështjen e kuadrit, sepse për shkak të pagave të ulëta është e shprehur dukuria e ikjes së kuadrove dhe njëkohësisht nuk ekziston interesim që në këso gjendje financiare të konkurrojnë ekonomistë dhe juristë cilësorë. Pas debatit edhe ky Raport u përkrah nga ana e Komisionit dhe u procedua tutje në Kuvend.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Propozimin e Panelit Seleksionues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për plotësimin e dy pozitave për anëtarë joekzekutiv të Bordit të BQK-së. Pas diskutimit, anëtarët e Komisionit rekomanduan që ky Propozim të procedohet në seancë të Kuvendit.

 

 

 Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa