Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 28.04.2015
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, shqyrtoi në parim Projektligjin për digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore.
Gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci, drejtori i Komisionit të Pavarur për Media (KPM) Adnan Merovci, si dhe përfaqësuesi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, Ekrem Hoxha.
Duke prezantuar këtë projektligj, ministri i MZHE-së, Stavileci, foli për rëndësinë e miratimit të tij dhe fushën që rregullon ai.
Projektligji për digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore, tha ai, rregullon procesin e kalimit nga teknologjia transmetuese radio difuzive analoge tokësore, në atë digjitale në Republikën e Kosovës. Në vijim ai foli për procesin e digjitalizimit të kësaj fushe në tërë rajonin, për të cilin tha se duhet të përfundojë deri në muajin qershor të këtij viti. Në vijim të fjalës së tij, ministri sqaroi edhe dispozitat ligjore të përshkruara në projektligj, ndërkaq, sqaroi se ato janë në harmoni të plotë me ligjet e shteteve të BE-së.
Drejtori i KPM-së Merovci, ndërkaq, pasi sqaroi se projektligji është detyrim ndërkombëtar, vlerësoi se ai përmban të gjitha dispozitat e nevojshme për rregullimin sa më të mirë të digjitalizimit dhe transmetimeve radio difuzive tokësore. Duke paraqitur rekomandimet e institucionit që përfaqësonte, Merovci numëroi një mori sosh, për të cilat tha se më shumë i përkasin natyrës teknike të projektligjit. Ai me këtë rast vlerësoi se në projektligj duhet të parashihet përfshirja e operatorëve regjional, mbrojtja e industrisë aktuale dhe të sigurohet një multipleks për RTK-në.
Në favor të projektligjit u shpreh edhe drejtuesi i ARKEP-it, Ekrem Hoxha. Ai vlerësoi se projektligji përmbush të gjitha nevojat e kësaj fushe, ndërkaq, apeloi për miratimin sa më të shpejtë të tij.
Pas kësaj, projektligji u hodh në votim dhe u përkrah unanimisht nga anëtarët e komisionit. Ai do të procedohet tutje për shqyrtim në parim edhe në Kuvend. Po ashtu, komisioni formoi edhe grupin punues për shqyrtimin e projektligjit.