Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Marte, 28.04.2015
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit,kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar raportin vjetor të punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2014.
Gjatë prezantimit të këtij raporti nga drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, Lavdim Krasniqi, u paraqitën në detaje të gjitha aktivitetet e këtij institucioni gjatë kësaj periudhe kohore, duke e vënë në pah si sfidë kryesore buxhetin e pamjaftueshëm për këtë institucion. Me këtë rast, anëtarët e Komisionit theksuan faktin se prioritet i Komisionit në të ardhmen do të jetë buxheti për institucionet e drejtësisë.
Ndërkaq, u kërkuan sqarime të shumta nga përfaqësues të IGJK-së, me theks të veçantë për trajnimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nivelin e tyre, si dhe për efektin e këtyre trajnimeve.
Pas diskutimit, me shumicë votash, raporti vjetor i punës së IGJK-së, për vitin 2014, mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit, duke kërkuar po ashtu nga ky institucion listën me emra të personave që kanë udhëhequr trajnimet për këta gjyqtarë dhe prokurorë.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi nismën e Komisionit për hartimin e Projektligjit për Kuvendin dhe Projekt-Rregulloren e Kuvendit. U sqarua se Kryesia e Kuvendit e ka ngarkuar Komisionin me këtë çështje dhe se draftimi i tyre duhet të përfundojë gjatë sesionit pranveror.
Me këtë rast, Komsioni u dakordua që kjo çështje t'i delegohet Nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit për të filluar hartimin e Projektligjit për Kuvendin dhe Projekt-Rregullores së Kuvendit.