Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Hënë, 27.04.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Besnik Bislimi, u diskutua lidhur me bashkëpunimin e Komisionit me Shoqërinë Civile.
Me këtë rast, kryetari i Komisionit, Besnik Bislimi, duke theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit të Komisionit me Organizatat e Shoqërisë Civile, vlerësoi se ky bashkëpunim do të formalizohet, si dhe do të shikohet mundësia për intensifikim bashkëpunimi në të ardhmen, ndërkaq shpalosi në detaje mënyrat në të cilat mund të manifestohet bashkëpunimi.
U theksua se shoqëria civile përmes pjesëmarrjes së tyre nëpër mbledhje dhe dëgjime publike të komisionit, apo edhe përmes tryezave të përbashkëta për trajtim të çështjeve të caktuara, do të kontribuojnë në përfaqësimin e interesave të shoqërisë sonë. Po ashtu, u theksua se në këtë mënyrë do të fitohet asistenca profesionale për trajtimin e çështjeve të caktuara në mënyrë adekuate.
Gjatë këtij diskutimi mes përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe anëtarëve të Komisionit, u theksua fakti se shoqëria civile mund të nxisë edhe iniciativa të reja apo edhe këshilla, të cilat janë në interes të vendit. Ndërkaq, u përmend edhe mundësia e ditëve të hapura të komisionit, në mënyrë që komisioni të vizitojë komunat dhe të takohet me qytetarët.
Në këtë mbledhje, u diskutua edhe për mënyrën e rritjes së transparencës së shpenzimeve buxhetore nga institucionet publike.
Pas një diskutimi të gjerë mes anëtarëve të komisionit dhe organizatave të shoqërisë civile, Komisioni do të përgatisë një dokument për konkretizimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile.