Lajmet e fundit
U mbajt seanca e veçantë e Kuvendit të Kuvendit të Kosovës me rastin e 27 Prillit-Ditës së të Pagjeturve
E Hënë, 27.04.2015
Me rastin e 27 Prillit, Ditës së Personave të Pagjetur, Kuvendi i Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, sot mbajti një mbledhje të veçantë, në të cilën morën pjesë deputetët e Kuvendit, kabineti qeveritar, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për të Pagjetur dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Lidhur me këtë ditë, para të pranishmëve në fillim fjalën e mori Lirije Kajtazi, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut,Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, e cila theksoi se zbardhja e fatit dhe vendndodhjes së personave që na mungojnë, si pasojë e agresionit serb nga lufta e fundit në Kosovë, që ende nuk janë gjetur, vazhdon të jetë preokupim i përbashkët si i familjarëve ashtu edhe i institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Mos zbardhja e fatit të të pagjeturve bën që Kosova të mbetet dosje e madhe e krimit të pandëshkuar
Edhe „Java e të Pagjeturve" nga 21 deri më 27 prill, kur po mbahet dhe kjo seancë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është shprehje e respektit, dhembjes, solidarizimit dhe obligimeve që kanë institucionet e shtetit të Kosovës për këtë kategori të ndjeshme të familjarëve tanë, të cilët qe 16 vjet s' prajnë duke i kërkuar më të dashurit që ju mungojnë atyre dhe vetë Kosovës, qoftë si të gjallë, apo dhe të martirizuar deri në hi, për lirinë tonë.
Mos zbardhja e fatit të të pagjeturve, bën që Kosova të mbetet dosje e madhe e krimit të pandëshkuar. E, fajtori dihet, ka adresë dhe ky është shteti i Serbisë, i cili jo vetëm që nuk kërkoi falje e nuk shprehu, as pas kaq vitesh, sadopak humanistet, madje nuk e tregon së paku vendndodhjen e tyre.
Në vijim znj. Kajtazi theksoi se me konventa ndërkombëtare krimet vazhdojnë deri në ditën e zbardhjes së tyre, dhe jo vetëm të pagjeturit, por edhe familjarët e tyre vazhdojnë të jenë në ankth të pritjes.
„Qëndrimi i Serbisë nuk është i panjohur për ne dhe intervenimi humanitar ushtarak nga Aleanca Veri Atlantike, për fat të keq nuk ka ndërruar mendësinë e qeverisjeve të Serbisë. Botës perëndimore, por edhe neve na mbetet punë për ta humanizuar atë. A s'është minimumi i humanes dhe seriozitetit të qeverisë së tanishme serbe çështja e të pagjeturve? Kjo gjë nuk duhet t'i takojë politikës ani se ka derivuar nga një politikë e keqe. Thjeshtë është çështje humanitare", theksoi Lirije Kajtazi.
Në vazhdim ajo tha se për të zgjidhur këtë çështje shumë të ndjeshme dhe për të ndodhur paqja në këto hapësira, duhet sërish angazhim dhe presion ndërkombëtar, si garanci e zgjidhjes së fatit të pagjeturve, aq më tepër kur dihet se agresioni ishte shtetëror, dhe natyrisht se mund të dokumentohet fare lehtë nga arkivat e shtetit serb dhe dëshmive të atyre që mbijetuan.
„Ne qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës obligohemi për t'u angazhuar edhe më tepër në zbardhjen e fatit të tyre dhe përfundimisht ta zgjidhim këtë çështje, e cila nuk po i mban pezull dhe me dhembje të pashëruar vetëm familjarët e tyre, por edhe neve si institucione të shtetit. Sot, Republika e Kosovës ecë sigurt në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, me miqësi të përhershme me SHBA-në, duke lartësuar të drejtat e njeriut pa dallim etnie, gjinie e fetare, duke vendosur ,drejtësi ligjore e sociale për secilin qytetar", tha ajo.
Në vijim znj. Lirije Kajtazi tha se Kuvendi i Kosovës nxori Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, që shihet si shpresë për fatin e të pagjeturve. Për fat të keq, prapë shteti Serb nuk u udhëhoq nga qasja humane, por u nga politika luftënxitëse dhe agresive . E vërteta për të pagjeturit është e vërteta për Serbinë, e cila flet për terror të organizuar shtetëror. Familjet që u goditën rëndë nga këto plagë të pashëruara të luftës, me të drejtë kërkojnë dhe presin përgjigje nga shteti i tyre se ku ndodhen më të dashurit e tyre.
Zbardhja e fatit të pagjeturve, jo vetëm që ua lehtëson dhembjet familjarëve, por edhe i çliron ata nga ankthi shumëvjeçar i pritjes. Tek pas kësaj mund të thuhet se ka drejtësi, se ëndrra e tyre, Kosova - shtet, është realitet, se Evropa që aspirojmë, nuk i duron krimet dhe kriminelët dhe se ajo është vendi ku qytetarët jetojnë në paqe duke i gëzuar të drejtat njerëzore në plotëni, theksoi Lirije Kajtazi.
Të gjitha këto vuajtje e pësime duhet të jenë mësim për brezat e mbarë botës, që kurrë më të mos ketë luftë
Në vijim fjalën e mori përfaqësuesi i asociacionit të familjarëve të personave të zhdukur, përkatësisht të 1650 personave të pagjetur,Bajram Çerkini, i cili duke iu drejtuar të pranishmëve në fillim tha:"Si familjarë, por edhe si qytetar i Republikës së Kosovës, sigurisht që në raste të të tilla kam emocione të përziera. Është e rëndë, shumë e rëndë, të flasësh në raste të tilla të shënimit të përvjetorëve , të shënimit të datave më tragjike të historisë sonë, të datave në të cilat përkujtojmë mijëra të vrarë e të masakruar,në datat në të cilat na shtohet dhimbja,ankthi, por edhe rritet shpresa që më të dashurit tanë do të na kthehen". Në vijim z. Çerkini tha:"Është ngushëlluese që sot gjendemi në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës, në këto institucione dhe në këtë shtet për ndërtimin e të cilit u derdh shumë gjak...Prandaj, kërkoj nga të gjithë ju që jeni këtu, që ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe të veprojmë kështu". Të gjitha këto vuajtje e pësime duhet të jenë mësim për brezat e mbarë botës, që kurrë më të mos ketë luftë. Ai pastaj i bëri një vështrim edhe zhdukjes masive të njerëzve qysh nga gjyshërit tanë, duke apeluar që bashkësia ndërkombëtare të angazhohet sidomos në gjetjen e 101 fëmijëve, nën moshën 18-vjeçare që ende janë të pagjetur."Në kohën kur ka avancuar demokracia, ka avancuar zhvillimi mbarë botëror,ne i gjejmë fëmijët tanë , të groposur , me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit me përmasa gjenocidale, nëpër kazermat ushtarake, siç janë ato në Batajnicë, apo në Petrovosello apo në liqene, siç është Peruçaci, apo edhe të groposur e të mbuluar me asfalt dhe me shtëpi të ndërtuara mbi varreza, siç ishte rasti i fundit në Rudnicë".
Në emër të familjeve të personave të zhdukur ai në vijim paraqiti 6 kërkesa:përshpejtimin e punës në gjetjen e 1650 njerëzve të pagjetur;kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë, që në dialog ndërmjet shteteve të Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe çështja e të pagjeturve; përmirësimin e Ligjit për personat e zhdukur; ngritjen e Qendrës Memoriale Qendrore në nivel të vendit;që Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për persona të pagjetur të fuqizohet dhe të mbështetet nga të gjitha institucionet e vendit. Në përmbyllje të fjalës së tij ai i shprehu mirënjohje kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve për organizimin e shënimit të Ditës së të pagjeturve.