Lajmet e fundit
Sot në oborrin e Kuvendit, kryetari Veseli bëri zbulimin e Përmendores dedikuar personave të pagjetur
E Hënë, 27.04.2015
Në kuadër të shënimit të Ditës së të Pegjeturve dhe në përmbyllje të "Javës së të Pagjeturve", kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kryeministri Isa Mustafa dhe familjarë të personave të pagjetur, sot në oborrin e Kuvendit bëri zbulimin e Përmendores dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.
Në një adresim para familjarëve të personave të pagjetur, zbulimin e kësaj përmendoreje kryetari Veseli e konsideroi një akt institucional solidarizimi me dhimbjen e familjeve për 1.650 personat e pagjetur. Kreu i Kuvendit tha se qëllimi i organizimit të "Javës së të pagjeturve" dhe ngritja e përmendores, ishte përcjellja e një mesazhi human dhe paqeje, se këta njerëz u mungojnë të gjithëve dhe se institucionet e Republikës së Kosovës bashkëndiejnë dhembjen me familjarët e të pagjeturve. Ndërsa, atyre që i mbajnë ende trupat e tyre, t'u përcillet mesazhi human se është momenti i fundit që ata të kthehen në tokën e vet.
"Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, dëshirojmë të përçojmë edhe mesazhin politik se fqinjësia e mirë dhe partneriteti janë përkushtim i Republikës së Kosovës, por ato mund të arrihen vetëm në atë moment kur shpirti i këtyre familjarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës do të jetë i qetë, kur këta njerëz që ende janë të pagjetur, të prehen në tokën e vet. Kjo është edhe simbolika e kësaj përmendoreje, e cila e shpreh tërësinë tonë, ndërsa ato pjesë që mungojnë janë pikërisht të pagjeturit tanë", theksoi kryetari Veseli.
Kryetari i Kuvendit tha se në këtë ditë, kur po shënohet Dita e të pagjeturve, angazhimi gjithëpërfshirës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe kthimin e tyre në atdhe, aktualizohet për të mbetur obligim deri në përmbylljen e këtij procesi tejet të dhimbshëm.