Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Premte, 24.04.2015




Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2014, ishte temë qendrore e mbledhjes së sotme të Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit. Para anëtarëve të Komisionit një vështrim gjithëpërfshirës të Raportit e bëri kryetari i KPM-ës, Adnan Merovci, ndërsa për disa çështje të ndryshme në këtë mbledhje foli edhe Naile Selimaj, kryeshefe e KPM-ës. Në fillim të fjalës së tij, z. Merovci theksoi se Strategjia për digjitalizim tashmë është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës, ndërsa KPM-ja me ligj është e obliguar të bëjë digjitalizimin. Ligji që rregullon këtë çështje është në përpunim, mirëpo ai është i natyrës teknike, pasi ai ka të bëjë me procedurën dhe shpalljen e tenderit për operatorët e rinj. Ai në vijim foli edhe për procedurat e shqyrtimit të Projektligjit. Ndërkaq, sa i përket digjitalizimit ai tha se Kosova në këtë aspekt është shembull për të mirë në Rajon. Z. Merovci pastaj foli edhe për çështjen e monitorimit, pastaj për shpalljen e konkursit për frekuenca, ankesat,si dhe përmendi faktin se Kosova ka dy memorandume bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Turqinë në këtë lëmë. Në vijim z. Merovci tha se Komisionit i Pavarur për Media ka bashkëpunim shumë të mirë me Zyrën e Komisionit Evropian, OSBE-në, si dhe me institucione të tjera.
Në vijim të mbledhjes u zhvillua debat shumë i gjerë nga ana e anëtarëve të Komisionit, i cili shoqërohej edhe me pyetje të ndryshme. Vëmendja e anëtarëve të Komisionit u përqendrua në çështjen e intensifikimit të angazhimeve për të siguruar mbulueshmëri nga ana e transmetuesve,sidomos radiove, në gjithë territorin e Kosovës, pastaj u fol për çështjen e licencave, duke theksuar se pa ato nuk mund të punojë asnjë transmetues.
Duke u përgjigjur në këto dhe pyetje të tjera të shumta udhëheqja e Komisionit të Pavarur për Media theksoi se radiot nacionale nuk dëgjohen në 38 për qind të hapësirës së vendit, por ato vetë duhet të investojnë për të siguruar mbulueshmëri. Diskutuesit ishin të një mendjeje në kërkesën që të sigurohet mbulueshmëria në tërë territorin e Kosovës, sepse këtë transmetuesit e kanë marrë me ligj obligimin.
Në përfundim të debatit, z. Adnan Merovci, ngriti çështjen e vështirësive të mëdha financiare me të cilat po ballafaqohet ky Komision, duke paraqitur kërkesën që në kuadër të rishqyrtimit të buxhetit të Kosovës, të ndërmerret diçka për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Gjendja e rëndë financiare u konfirmua, por u tha se janë bërë shkurtime buxhetore edhe për institucione të tjera.
Komisioni pas përmbylljes së debatit përkrahu Raportin dhe e procedoi tutje në Kuvend.