Lajmet e fundit

Kryetari Veseli priti ministrin e jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics

E Enjte, 23.04.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ministrin e punëve të jashtme të Letonisë, Edgars Rinkevics, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi ministrin letonez për angazhimin e qeverisë së tij për të ndihmuar Kosovën dhe për faktin se në mes dy vendeve janë duke u zhvilluar raporte shumë të mira bashkëpunimi. Kryetari Veseli e konsideroi të vlefshme për Kosovën, si përvojën parlamentare të Letonisë, ashtu edhe rrugëtimin e saj në procesin e integrimeve evropiane.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se Kosovës duhet t'i mundësohet të tejkalojë situatën e tanishme të një izolimi të pakuptimtë, si pasojë e mungesës së liberalizimit të vizave.

"Natyrisht, ky liberalizim nuk i zgjidhë çështjet bazike të integrimit, por ai është një sinjal i qartë për perspektivën e sigurtë të vendit tonë që të jetë pjesë e BE-së", u shpreh kryetari Veseli.

Ministri letonez Rinkevics, nga ana e tij, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, theksoi nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke iu dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërparlamentare. Ministri shprehu përkushtimin e qeverisë letoneze për të ndihmuar Kosovën në agjendën e saj evropiane.

Në takim u diskutua edhe për ngritjen e kanaleve të komunikimit të ndërsjellë, me qellim që në mes të Kosovës dhe Letonisë të zhvillohet bashkëpunimi edhe në fushën e biznesit, tregtisë dhe investimeve.

 

 

Kryetari Veseli priti ministrin e jashtëm të Letonisë, Edgars RinkevicsKryetari Veseli priti ministrin e jashtëm të Letonisë, Edgars RinkevicsKryetari Veseli priti ministrin e jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics