Lajmet e fundit
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës takohet me delegacionet e Francës dhe atë të Sllovenisë
E Mërkure, 22.04.2015
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje: Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Glauk Konjufca, ka vazhduar pjesëmarrjen në punimet e Sesionit të Dytë të Rregullt dhe në mbledhjet e komisioneve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Sot, delegacioni i Kuvendit të Republikës të Kosovës, në kuadër të takimeve bilaterale, është takuar me përfaqësues të delegacionit të Francës të udhëhequr nga z. Rene Roquet, zëvendës-kryetar i AP të Këshillit të Evropës dhe kryesues i delegacionit të Francës në AP të Këshillit të Evropës, si dhe anëtar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë në Asamblenë Nacionale të Francës.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës është takuar edhe me delegacionin e Sllovenisë, të udhëhequr nga znj. Ksenija Korenjak Kramar, kryesuese e delegacionit të Sllovenisë dhe zëvendëskryetare e AP të Këshillit të Evropës.
Dy delegacionet u zotuan për mbështetjen e tyre për Kosovën drejt procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.