Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Mërkure, 22.04.2015




Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj, u takua me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama.


Me këtë rast, anëtarët e komisionit fillimisht kanë përgëzuar gjenerallejtënantin Rama për detyrën e re, në krye të FSK-së, ndërkaq u zotuan se do të jenë të gatshëm që ta mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.


Gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë diskutimit të tij tha se FSK-ja do të vazhdojë të veprojë në bazë të ligjeve dhe rregulloreve që janë në funksion, ndërkaq njoftoi Komisionin lidhur me aktivitetet që ka pasur pas marrjes së detyrës së re.


"Ne jemi në fazën e planifikimit të ndryshimit të misionit dhe të strukturës së FSK-së dhe në vazhdën e këtyre përpjekjeve të finalizimit të planit kemi pasur disa takime me ekipet tona dhe ekipet tjera të cilat janë përkrahëse në këtë proces", tha Rama, duke sqaruar më tej se MFSK-ja ka dërguar në Qeveri ligjet të cilat duhet të ndryshohen dhe se presin që realizimi final i këtij plani të bëhet në një afat sa më të shkurtër.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së