Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 21.04.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane , të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Teuta Sahatqija, raportoi sot zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, lidhur me procesin e integrimeve evropiane.
Me theks të veçantë, ai raportoi për sidat e raportit të progresit dhe aktivitetet e ndërmarra nga ky institucion.
Fillimisht, zv.ministri Kastrati theksoi se MTI-ja është njëra ndër institucionet që ka më së shumti obligime për MSA-në, ndërkaq shpalosi sfidat me të cilat ballafaqohet MTI-ja lidhur me këtë çështje. Ai duke folur për lëvizjën e lirë të mallrave, tha se ka pasur më shumë aktivitete në ngritjen e vetëdijes së bizneseve në përdorimin e standardeve, si dhe shtoi se është bërë avancim në funksionalizmin e mëtejmë të laboratorëve.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, zv.ministri Kastrati vlerësoi se Kosova nuk është e përfaqësuar në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe se tashmë ata kanë filluar të lobojnë, me qëllim që fillimisht Kosova të jetë vëzhguese e kësaj organizate, e më pas anëtare.
Pasi ka folur edhe për bashkëpunimin industrial, turizimin, etj,ai tha se MTI-ja është duke punuar për të arritur regjistrimin online të bizneseve.
Anëtarët e Komisionit pasi kanë kritikuar raportin e MTI-së i cili u theksua se është sjellë me vonesë në Komision, kërkuan sqarime nga zv.ministri lidhur me çështjen e metrologjisë dhe CEFTA-s, si dhe kërkuan të dhëna nëse Kosova do të shënojë rritje të eksporteve.
Pas shterimit të kësaj çështjeje, anëtarët e komisionit vendosën që organizimi i konferencës rajonale të mbahet më 2 qershor, me temën: "Sfidat drejt procesit të integrimit dhe roli i Kuvendit në këtë proces". U sqarua se të ftuar në këtë konferencë do të jenë kryetarët e komisioneve parlamentare të Shqipërisë, Maqedonisë , Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë.