Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit

E Marte, 21.04.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu, u shqyrtua raporti vjetor i punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2014. Me këtë rast, para anëtarëve të komisionit raportoi kreu i AKK-së, z. Hasan Preteni.


Fillimisht Preteni, duke shpalosur në detaje të gjitha aktivitetet dhe iniciativat e ndërmarra nga ky institucion gjatë kësaj periudhe kohore, tha se tek pjesa e luftimit të korrupsionit produkti i punës së tyre nuk po vërehet. Ai me këtë rast, përmendi faktin se asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar nga gjykatat, pavarësisht kallëzimeve penale që janë bërë nga AKK-ja.


Duke u përgjigjur në pyetjet e shumta të anëtarëve të Komisionit, Preteni foli për bashkëpunimin me institucionet tjera që kanë për mision luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, rastet e mbyllura dhe rastet e paraqitura në AKK për vitin 2014, rastet e përcjella në institucionet kompetente për procedim të mëtutjeshëm, numrin e rasteve të përcjella që nga funksionalizimi i AKK-së, etj.


Ndërkaq, anëtarë të Komisionit kërkuan sqarime nga Preteni lidhur me raportin e AKK-së me Prokurorinë e Shtetit, shoqërinë civile, si dhe OSHP-në. Ata, po ashtu, kërkuan të dhëna nga AKK-ja nëse ky institucion ka qasje në xhirollogarinë e zyrtarëve të lartë dhe se në cilin institucion AKK-ja ka hasur në raste më të shpeshta korruptive.
Sa i përket raportit vjetor të punës, ata theksuan faktin se raporti është i detajuar dhe përshkrues, ndërkaq shumica e tyre shprehën qëndrimin e tyre pro miratimit dhe procedimit të tij në seancë plenare.


Gjatë diskutimit u tha se deri më tani asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar, si dhe nuk është hetuar për pasurinë e tij jashtë shtetit.


U tha, po ashtu, se AKK-ja në vitet e fundit ka treguar seriozitet me punën dhe angazhimin e tyre, por në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar progres. Disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se nuk ka vullnet politik që të luftohet krimi dhe korrupsioni në vend, duke kërkuar me këtë rast efektivitet nga Prokuroria.


Pas diskutimit, me shumicë votash, raporti vjetor i punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2014, mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit dhe procedohet tutje në Kuvend.


Pas shterimit të kësaj çështjeje, Komisioni ka caktuar Doruntinë Malokun, përfaqësuese në Komisionin qeveritar për njohjen e statusit të ish- të dënuarve dhe ish- të përndjekurve politik. Ndërkaq, miratoi edhe rekomandimet për Agjencinë për ndihmë juridike falas.

 Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit