Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 21.04.2015
Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për vitin 2014, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Visar Ymeri, zv. kryetar i Komisionit.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, në mbledhje ishte i pranishëm edhe drejtori i AAC-së, Dritan Gjonbalaj. Ai fillimisht i njoftoi anëtarët e Komisionit për misionin dhe vizionin e AAC-së. Drejtori i AAC-së Gjonbalaj, u shpreh se ky institucion i ka vënë vetes mision që të mbajë sa më lart nivelin e standardeve të sigurisë në Kosovë në fushën e aviacionit civil. Për të arritur këtë standard, tha ai, është i domosdoshëm bashkëpunimi edhe me mekanizmat e tjerë shtetëror, ndërsa sqaroi se ai bashkëpunim është i nivelit të kënaqshëm. Duke folur për aktivitet e vitit të kaluar, Gjonbalaj vuri në pah numrin e kontrollimeve në trafikun ajror, numrin e licencave të lëshuara për pilotët e fluturakeve të vogla, si dhe numrin e ankesave të trajtuara, për të cilat tha se arrijnë në 137.
Duke paraqitur të arriturat e AAC-së, Gjonbalaj vuri në spikamë edhe Raportin e Progresit të KE-së, i cili vlerëson lartë punën e këtij institucioni. Duke folur për sfidat e AAC-së, ndërkaq, ai theksoi pakësim për 14 % të numrit të udhëtarëve gjatë vitit të kaluar. Për këtë, Gjonbalaj numëroi një varg faktorësh, të cilët sipas tij janë: moti i lig gjatë sezonës së dimrit në vitin 2014, subvencionet që Maqedonia iu ka ofruar kompanive të huaja që operojnë në aeroportin e saj, bankrotimi i kompanisë ajrore" Bell Air", si dhe realizimi i udhëtimeve me makina nga ana e bashkë atdhetarëve, të cilët pushimet verore i kalojnë në Kosovë. Në vijim të paraqitjes së tij, ai njoftoi edhe për hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Kjo hapësirë, tha ai, deri më tani është kontrolluar vetëm nga NATO-ja, ndërsa Kosova nuk ka pasur qasje në të. Por, njoftoi ai, që nga viti i kaluar, kjo hapësirë i është kthyer Kosovës, ndërkaq, për kontrollimin e plotë të saj është i nevojshëm vendimi i Këshillit të NATO-s.
Pas kësaj, anëtarët e komisionit shtruan pyetje lidhur me raportin e paraqitur nga drejtori i AAC-së, për të cilat edhe morën përgjigjet.
Në vijim, kryesuesi e hodhi në votim raportin, ndërkaq komisioni unanimisht e përkrahu atë.
Në vijim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi edhe Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për investimet e huaja. Këtë raport, si dhe rekomandimet lidhur me të i paraqiti deputeti, Besim Beqaj. Pas shqyrtimit të tyre, komisioni e miratoi Raportin, i cili do të procedohet tutje për shqyrtim edhe në mbledhje plenare të Kuvendit.
Në fund të mbledhjes, ndërkaq, deputeti Blerim Grainca, njoftoi për kërkesën e shoqatës së naftëtarëve, të cilët kanë shprehur nevojën e një takimi me anëtarët e komisionit. Lidhur me këtë, komisioni do të vendosë në një nga mbledhjet e radhës.