Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës thellon bashkëpunimin me Kongresin e SHBA-ve

E Marte, 21.04.2015




Me ftesë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga sekretar i përgjithshëm, Ismet Krasniqi, do të marrë pjesë në konferencën një javore me temë "Zhvillimi i Legjislaturave në Tranzicion". Konferenca organizohet nga Komisioni i Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP), në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Institutin Kombëtar Republikan (IRI). Në konferencë marrin pjesë përfaqësues nga Kosova, Tunizia, Afganistani, Ukraina dhe Nepali.


Gjatë konferencës pjesëmarrësit do të diskutojnë rreth sfidave në ndërtimin e stitucioneve legjislative në periudhën tranzicionale, dhe do të kenë mundësi të diskutojnë rreth përgatitjes dhe zbatimit të reformave që kanë për synim forcimin e kapaciteteve të parlamenteve në fushën e ligjvënies dhe mbikëqyrjes parlamentare.


Pjesëmarrësit do kenë rastin të mësojnë nga përvoja dhe praktikat e Kongresit të SHBA-ve, si dhe të vendeve pjesëmarrëse në ndërtimin e kapaciteteve për hulumtime parlamentare, analiza buxhetore dhe transparencë parlamentare.


Delegacioni i Kosovës do të zhvillojë edhe takime të veçanta me kongresmenë, me zyrtarë të lartë të Kongresit dhe të Senatit të SHBA-ve, por edhe me përfaqësues nga zyrat qendrore të NDI-së dhe IRI-t në Uashington, për të diskutuar për programet që kanë për synim mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.


Pjesëmarrja në këtë konferencë shënon edhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Kongresit të SHBA-ve.

 

 

Kuvendi i Kosovës thellon bashkëpunimin me Kongresin e SHBA-ve