Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev
E Marte, 21.04.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, prit sot në takim presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Kryetari Veseli dhe presidenti Plevneliev biseduan për raportet shumë të mira që Kosova dhe Bullgaria kultivojnë ndërmjet tyre në të gjitha nivelet e bashkëpunimit institucional dhe njëherësh vlerësuan se kjo traditë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, i shërben paqes, sigurisë dhe demokratizimit të rajonit.
Bashkëbiseduesit folën për një rajon të çliruar nga paragjykimet dhe animozitetet e së kaluarës, si dhe për krijimin e një hapësire e cila siguron në mënyrë të lirë qarkullimin e njerëzve, ideve, mallrave dhe investimeve të përbashkëta.
Kryetari Veseli e falënderoi presidentin bullgar për vizitën e tij në Kosovë dhe vlerësoi eksperiencën e Bullgarisë në procesin e integrimeve, nga e cila Kosova mund t'i mësojë gjithçka.
Nga ana e tij, presidenti i Bullgarisë, Plevneliev, falënderoi kryetarin Veseli dhe institucionet e Kosovës për pritjen e ngrohtë që iu bë gjatë vizitës dhe njëherësh garantoi mbështetjen e shtetit të tij për perspektivën e shpejtë euro-atlantike të Kosovës.