Lajmet e fundit
Nën patronatin e kryetarit Veseli, filloi Java e të Pagjeturve
E Marte, 21.04.2015
Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Hotelin "Sirius" në Prishtinë, filloi "Java e të Pagjeturve".
Në tryezë ishin të pranishëm përfaqësues të shoqatave familjare dhe organizatave të personave të zhdukur, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, të Kryqit të Kuq, të Mjekësisë ligjore, ambasadorja e Zvicrës, Kristina Marty Lang etj.
Në fjalën hyrëse të kësaj tryeze, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Prenk Gjetaj, çmoi lart interesimin dhe mbështetjen e pakursyer të kryeparlamentarit Veseli për ndriçimin e personave të pagjetur, si dhe për përkrahjen për familjarët e tyre.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fjalën e tij para të pranishmëve, dramën e të pagjeturve e konsideroi si njërën nga plagët e rënda dhe ende të pashëruara të shoqërisë sonë. Z. Veseli tha se 16 vite pas luftës ende nuk dihet fati i 1650 qytetarëve tanë, në mesin e tyre 99 fëmijë, pastaj të rinj dhe të moshuar, burra dhe gra, fermerë e punëtorë, intelektualë e veprimtarë të çështjes kombëtare, si: Ukshin Hoti, Xhavit Haziri, e Idriz Rreci, mjekë si Hafir Shala e Adem Ademi, artistë si Mehmet Tupella.
"Qeveritë e ndryshme të Serbisë vazhdimisht kanë vendosur pengesa në procesin e gjetjes dhe identifikimit të të zhdukurve tanë. Mungesa e vullnetit të duhur për të ndihmuar këtë proces, flet qartë se këto qeveri vazhdojnë të mos distancohen nga qëllimi i fshehjes së krimit, për të cilin u zhdukën mijëra qytetarë të Kosovës. Me zvarritjet e qëllimshme në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, qeveria serbe synon të arrijë efektin e zbehjes së krimit të dyfishtë që u bë mbi njerëzit tanë, Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë, sepse drejtësia duhet të japë verdiktin e saj", tha kryetari Veseli, ndërsa shtoi se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa drejtësinë për të zhdukurit, është i dënuar të jetë i paqëndrueshëm në perspektivë.
Kreu i legjislativit tha se fshehja e krimeve masive ka qenë një operacion i organizuar nga struktura tepër të disiplinuara shtetërore, prandaj është krejtësisht e qartë se ekzistojnë informacione të sakta se çfarë ka ndodhur me viktimat.
Qeveria serbe, shtoi Veseli, duhet ta ketë të qartë se aspirata për të qenë pjesë e vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe mbajtja fshehur e viktimave të krimeve kundër njerëzimit nuk shkojnë bashkë. Institucionet e Kosovës, ndërkaq, theksoi kryetari i Kuvendit, gjatë gjithë këtyre viteve kanë bërë krejt çfarë ka qenë në mundësitë e tyre për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, ndërsa një punë e konsiderueshme është bërë nga mekanizmat vendorë, të mbështetur edhe nga mekanizmat e prezencës ndërkombëtare në Kosovë. Por, shtoi Veseli, ende shumë punë ka mbetur pa u kryer.
Ai tha se familjet tona kanë të drejtë të pamohueshme të dinë për fatin e më të dashurve të tyre dhe të kërkojnë t'u kthehen pjesëtarët e tyre.
"Ne nuk do të ndalemi kurrë deri në realizimin e plotë të kësaj të drejte.
Kjo nuk është vetëm një e drejtë njerëzore, por edhe kulturore dhe civilizuese. Nga kohërat që nuk mbahen mend në kulturën tonë një nga porositë më të fuqishme ka qenë amaneti për tu prehur në vendin e lindjes, në tokën e atdheut. Ne do ta përmbushim këtë amanet", tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.