Lajmet e fundit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut takoi përfaqësuesen e KE-së në Kosovë

E Hënë, 20.04.2015




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, i prirë nga Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit, takoi sot përfaqësuesen e Komisionit Evropian në Kosovë znj. Farina Ahauser, si dhe përfaqësuesin e Zyrës Ligjore të BE-së në Kosovë, Felix Rathje.

Kryetarja Kajtazi, pasi foli për aktivitetet nga fushëveprimtaria e komisionit, njoftoi për ecurinë e punës lidhur me Projektligjin për Avokatin e Popullit. Lidhur me këtë, ajo tha se komisioni është i përkushtuar që të amendamentojë një ligj të aplikueshëm sipas nevojave të shoqërisë sonë, si dhe të jetë i bazuar në praktikat më të mira të shteteve të zhvilluara.

Përfaqësuesja e KE-së Ahauser, ndërkaq, duke shprehur interesimin e saj rreth kësaj çështjeje, u angazhua që Ligji për Avokatin e Popullit, si dhe ligjet e tjera të kësaj fushe, të procedohen sa më shpejtë në Kuvend. Ajo po ashtu shprehu gatishmërinë e një bashkëpunimi të ngushtë me pjesëmarrje aktive gjatë fazës së procedimit të këtyre projektligjeve. Jemi të interesuar, tha ajo, që të fuqizohet roli i Avokatit të Popullit, duke bërë punë efikase dhe të pavarur.

I gatshëm për bashkëpunim të ngushtë u shpreh edhe përfaqësuesi i Zyrës Ligjore të BE-së në Kosovë, Rathje.

 

Komisioni për të Drejtat e Njeriut takoi përfaqësuesen e KE-së në Kosovë