Lajmet e fundit

Deputetja Blerta Deliu Kodra merr pjesë në takimet e komisioneve të Asamblenë Parlamentare të SEECP-së

E Premte, 17.04.2015




Deputetja e Kuvendit të Republikës se Kosovës, znj. Blerta Deliu Kodra është duke përfaqësuar Kuvendin e Republikës se Kosovës në takimet e Grupit Punues Ad Hoc dhe ato të Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, të cilat po mbahen sot dhe nesër në Kuvendin e Republikës se Shqipërisë.

Këto punime po udhëhiqen nga z. Taulant Balla, deputet i Kuvendit të Republikës se Shqipërisë, i cili njëherësh është kryesues i Grupit Punues Ad hoc të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së.

Tema bosht të diskutimit në këto takime janë propozimet për zgjedhjen e udhëheqësit të Sekretariatit të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, për të cilën pozitë kanë paraqitur kandidaturën Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë dhe Asambleja Nacionale e Bullgarisë. Këtë pozitë aktualisht e mban Asambleja Nacionale e Bullgarisë. Gjithashtu po diskutohen edhe dy propozimet për buxhetin e ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, të bëra nga Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë , në njërën anë, i cili është 890,000 Euro, dhe nga Asambleja Nacionale e Bullgarisë, në bashkëpunim me Trojkën e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, i cili është 300,000 Euro.
Vendet pjesëmarrëse të SEECP-së që po ndjekin punimet e këtyre takimeve janë: Shqipëria, Sllovenia, Rumania, Greqia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia dhe Kosova.

Përbërja e njëjtë e pjesëmarrësve do të ndjekin punimet e Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së edhe gjatë ditës së nesërme, ndër tjera do të diskutojë raportin që do të nxirret sot nga Grupi Punues Ad Hoc, raportet dhe rezolutat e nxjerra nga të tre Komisionet e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, si dhe krijimin e agjendës së Seancës Plenare të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, e cila do të mbahet po në Kuvendin e Republikës se Shqipërisë, më 22-23 maj 2015.

Të rikujtojmë se kryetari i Kuvendit të Republikës se Kosovës, z. Kadri Veseli, ditë më parë i ka adresuar Kryesuesit të radhës së Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, z. Ilir Meta, kërkesën zyrtare për anëtarësim të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të SEECP-së, kërkesë e cila do të vihet në votim në seancën e rregullt vjetore të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, e cila do të mbahet muajin e ardhshëm.

 

Deputetja Blerta Deliu Kodra merr pjesë në takimet e komisioneve të Asamblenë Parlamentare të SEECP-sëDeputetja Blerta Deliu Kodra merr pjesë në takimet e komisioneve të Asamblenë Parlamentare të SEECP-së