Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Premte, 17.04.2015
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit, shqyrtoi dhe përkrahu në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në këtë mbledhje, ndërkaq, ndonëse ishte paraparë që të shqyrtohet Raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2014, është shtyrë për mbledhjen e radhës. Këtë vendim komisioni e mori për shkak të mosprezencës së kryetarit të Komisionit për Media.
Pas kësaj, komisioni takoi përfaqësuesit e Federatës Sindikale të RTK-së, të cilët paraqitën kërkesat e tyre dhe kërkuan ndihmën e komisionit.
Përfaqësuesi i kësaj sindikate Fisnik Dërguti, kërkoi që të zgjidhet çështja e financimit të RTK-së, si dhe prona e saj. Anëtarët e komisionit, ndërkaq, vlerësuan se kërkesat nuk janë çështje e sindikatës dhe kërkuan që punëtorët në RTK të mos bien pre e ndikimeve, por, të ruajnë paanësinë dhe të tregojnë nivel të lartë profesional në punën e tyre. Anëtarët e komisionit, po ashtu u shprehën të gatshëm për një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjithë përfaqësuesit e punëtorëve në RTK, si mënyra më e mirë për tejkalimin e problemeve në këtë medium.