Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Premte, 17.04.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga zëvendës kryetari i parë i komisionit, Fadil Demaku, raportoi Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Republikës së Kosovës, Fitim Shishani, lidhur me punën e Inspektoratit për vitin 2014.
Fillimisht Shishani gjatë raportimit të tij ka folur për të arriturat, sfidat dhe reformat në IPK që e kanë karakterizuar këtë institucion gjatë vitit të kaluar.
Shishani ka vlerësuar se IPK-ja ka arritur me sukses të trajtojë të gjitha ankesat e pranuara dhe me një efikasitet të lartë t'i përcjellë në Policinë e Kosovës apo Prokurori për trajtim të mëtutjeshëm.
Ai sqaroi se gjatë vitit 2014, 305 punonjës të PK-së kanë qenë subjekt hetimi nga IPK-ja, ndërsa janë ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 20 arrestime dhe 64 rekomandime për suspendime.
132 raste janë dërguar me kallëzim penal në Prokurori për të cilat është ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për 28 kallëzime penale, tha ai.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e komisionit kanë zhvilluar një debat të gjerë më përfaqësues të Inspektoratit. Veç tjerash ata kërkuan sqarime lidhur me Dhomën e Dëshmive në Pejë, për të cilin rast Shishani tha se kanë ndërmmarë të gjitha veprimet dhe se tashmë kjo nuk është çështje e IPK-së por e Gjykatave.
Disa nga anëtarët e Komisionit kërkuan sqarime nga kreu i IPK-së nëse ka pjesëtarë të PK-së të involvuar në krim të organizuar. Ndërkaq,kërkuan po ashtu sqarime edhe lidhur me suspendimin e pjesëtarëve të policisë kufitare, lidhur me rastin e shtetasit serb, Slobodan Gavriq, në veturën e të cilit është gjetur eksploziv në Prishtinë.
Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit u dakorduan që në mbledhjen e radhës të vendoset nëse do të kërkojnë informata shtesë më të detajura lidhur me punësimet në IPK gjatë periudhës katërvjeçare si dhe për disa nga çështjet dhe shqetësimet që u ngritën nga anëtarët.
Krejtësisht në fund, Komisioni u dakordua që në mbledhjen e radhës të ftojnë në takim edhe Komandantin e FSK-së , gjenerallejtënantin, Rrahman Rama.