Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 16.04.2015




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetët: Agim Çeku, Melihate Tërmkolli, Visar Ymeri, Pal Lekaj, Zafir Berisha, Nenad Rashiq, Flora Brovina, Murat Hoxha, Rexhep Selimi, Teuta Haxhiu, Nait Hasani dhe Margarita Kadriu-Ukelli, ngritën një varg çështje dhe shqetësime të qytetarëve, ndërkaq, pyetjeve parlamentare iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar, përkatësisht ministrat: Memli Krasniqi, Mahir Yagcilar dhe Arsim Bajrami.

Në këtë pikë të rendit të ditës foli edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa dhe zv. kryeministri, Hashim Thaçi. Ata me këtë rast iu kundërpërgjigjën deputetit Ymeri, i cili ngriti një varg akuzash kundër koalicionit qeverisës. Kryeministri u shpreh se problemet në vend duhet dhe mund të zgjidhen me debat parlamentar dhe në mënyrë institucionale, ndërkaq, për realizimin e programit qeverisës kërkoi edhe mbështetjen e opozitës. Duke iu referuar paralajmërimit për protestë nga ana e opozitës, zv. kryeministri Thaçi, vlerësoi se ajo është e panevojshme dhe shprehu drojën se do të ndikojë në krijimin e imazhit të keq për Kosovën.

Në vijim të mbledhjes, deputetja Donika Kadaj- Bujupi, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, VV-së dhe NISMA-s, ngriti mocionin që në rendin e ditës, në këtë mbledhje, të hyjë edhe shqyrtimi i peticionit të qytetarëve (35 mijë) kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, ndërkaq, u deklaruan kundër këtij mocioni, por, kërkuan që shqyrtimi i këtij peticioni të jetë në një nga mbledhjet e radhës.

Mocioni u hodh në votim dhe deputetët me shumicë votash u deklaruan kundër tij.

Grupet opozitare, VV, AAK dhe NISMA, braktisën seancën

Pas kësaj, mbledhja ka vazhduar pa prezencën e partive opozitare, përkatësisht, VV-së, AAK-së dhe NISMA-s, të cilët, për shkak të mospërfshirjes në rend dite mocioni i propozuar prej tyre, pas pauzës nuk u kthyen në sallën e mbledhjeve.

Deputetët në vijim miratuan propozimin e GP të PDK-së dhe GP të LDK-së për caktimin e deputetit, Blerim Shala, koordinator në delegacionin e Qeverisë së Kosovës për bisedime me Serbinë.

Po ashtu, deputetët me shumicë votash zgjodhën Sabrie Abazin, kryesuese të Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim.

Në vijim, Kuvendi shqyrtoi Projektligjin për provimin e maturës shtetërore. Këtë projektligj par deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami. Në mungesë kuorumi projektligji nuk u hodh në votim.

Po ashtu, në mungesë kuorumi, Kuvendi nuk arriti të ratifikojë Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA.

Në mungesë kuorumi nuk është bërë as emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ndërkaq, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, është shtyrë për shkak të mosprezencës së ministrit të Ministrisë së Financave.

Emërimi i anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ndërkaq, është hequr nga rendi i ditës.

 

 

Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit