Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 15.04.2015




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Naser Osmani, u shqyrtua dhe u përkrah raporti vjetor financiar i Agjencisë Kosovare të Pronës, për vitin 2014 (raporti u prezantua nga Florije Kika, u.d. e zëvendës drejtorit ekzekutiv).


Komisioni, po ashtu ka shqyrtuar dhe përkrahur edhe raportin vjetor financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për vitin 2014. Raporti u prezantua nga Lulzim Aliaj, kryetar i KPMSHC K-së, si dhe përfaqësues tjetër të këtij institucioni, të cilët kanë theksuar fillimisht faktin se kanë pasur stërngarkesë në shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civil, si dhe vështirësi sa i përket buxhetit të pamjaftueshëm.


Anëtarët e komisionit gjatë diskutimit të tyre, veç tjerash rekomanduan që KPMSHC K-ja të mos bëjë ndarje të mjeteve buxhetore pa bazë ligjore, ndërkaq raporti procedohet në mbledhje të Kuvendit.


Komisioni më tej shqyrtoi dhe përkrahu edhe raportin vjetor financiar të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, për vitin 2014, që u prezantua nga drejtori i kësaj agjensie, Idriz Balaj.


Me këtë rast, anëtarë të komisionit vlerësuan se gjatë rishikimit të buxhetit kjo agjensi të plotësojë dhe të sjellë në komision një plan më të detajuar të projekteve, ndërkaq u kërkua nga ministritë përkatëse që mjetet e dedikuara për mirëmbajtjen e komplekseve memoriale të barten në këtë agjension.


Komisioni ka shqyrtuar edhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për vitet 2016-2018, që u prezantua nga Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi. Megjithatë, kjo çështje mbeti që të diskutohet brenda kësaj jave nga Komisioni.


Ndërkaq, në mungesë të kreut të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ruzhdi Jashari, shqyrtimi i raportit vjetor financiar të kësaj agjensie për vitin 2014, mbeti të bëhet në mbledhjen tjetër të radhës.

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa