Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Marte, 14.04.2015




Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, kanë biseduar lidhur me anëtarësimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në organizata parlamentare.


Duke e dhënë një pasqyrë të marrëdhënieve të rregullta të Kuvendit të Kosovës me organizata të ndryshme parlamentare evropiane dhe rajonale, Hoxhaj ka konstatuar me keqardhje se legjislativi i vendit është institucioni më i izoluar i vendit. Ai në vazhdim ka folur për mundësitë që Kuvendi i Kosovës të anëtarësohet në organizata të ndryshme parlamentare, në agjenci parlamentare, në mekanizma të organeve parlamentare, si dhe në rrjete të ndryshme të deputetëve.


Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, kanë paraqitur ide të ndryshme për afirmimin ndërkombëtar të Kuvendit të Kosovës, duke e anëtarësuar në organizata dhe mekanizma të tjerë ndërparlamentarë. Ata kanë mbështetur idenë që të studiohen mundësitë për anëtarësim në këta mekanizma, si dhe kanë kërkuar që të përgatitet lista me prioritete për organizatat e dhëna, bashkë me ekspertizat profesionale për procedurat e anëtarësimit.


Mbështetëse të fuqishme të anëtarësimeve të synuara mund të jenë grupet e miqësisë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe parlamenteve tjera, është thënë në takim. Anëtarët e komisionit kanë pohuar se deputetët i kanë dorëzuar formularët për të qenë anëtarë në grupe të caktuara të miqësisë, por arsye për vonesën e krijimit të tyre e kanë vlerësuar këndvështrimin e ndryshëm të Komisionit dhe të Kryesinë e Kuvendit , lidhur me funksionimin e këtyre grupeve të miqësisë.


Po në takimin e sotëm , Komisioni për Punë të Jashtme ka shqyrtuar edhe agjendën e vizitave të anëtarëve të tij në parlamente të tjera.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme