Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit

E Marte, 14.04.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu, u shqyrtua raporti vjetor i punës së Agjencisë për ndihmë juridike falas, për vitin 2014.
Me këtë rast, kryesuesi i Këshillit për Ndihmë Jurdike Falas, Armend Krasniqi, si dhe Drejtori Ekzekutiv në ANJF, Ramadan Gashi, pasi paraqitën raportin vjetor të punës së ANJF-së folën për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar kjo agjensi.
Me theks të veçantë, ata ngritën shqetësimin e tyre sa i përket buxhetit të ulët të kësaj agjensie, duke kërkuar mes tjerash përkrahje për këtë çështje nga Komisioni.
Anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit të tyre për raportin vjetor të punës së ANJF-së, shfaqën një sërë vërejtjesh, duke kërkuar sqarime të shumta nga përfaqësues të kësaj agjensie.
Ata kërkuan që ta kenë numrin e saktë të rasteve të lëndëve në favor të palës, duke theksuar po ashtu se ka moskordinim mes avokatëve dhe agjensisë, U theksua se ANJF-ja duhet të krijojë raporte më korrekte me Odën e Avokatëve të Kosovës.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të Komisionit, miratimi i këtij raporti me rekomandime për mbledhjen e Kuvendit mbeti të bëhet në mbledhjen tjetër të radhës.
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 04/L-082. Me këtë rast, u sqarua se Ministria e Drejtësisë e ka tërhequr nga procedura këtë projektligj.
Më tej u diskutua edhe për caktimin e një përfaqësuesi në Komisionin qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe të ish të përndjekurve politikë. Megjithatë, kjo çështje mbeti të vendoset në një mbledhje tjetër të radhës.
Në vijim të mbledhjes Komisioni ka shqyrtuar edhe raportet e Komisioneve Kryesore për Projektligjin për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja më Vendim të Gjykatës ose të Panelit për Lirim më Kusht, si dhe raportet e Komisioneve Kryesore për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-51 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit