Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Marte, 14.04.2015




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vendosi që të enjten, më 16 prill, në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë plenare. Në këtë seancë pritet të shqyrtohen dy projektligje dhe të zgjedhen disa anëtarë të institucioneve të pavarura.


Kështu, pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.


Në vazhdim, Kuvendi do të procedojë me emërimin e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, emërimin i shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe zgjedhjen e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim.


Po ashtu, në këtë seancë do të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe atij të LDK-së, për emërimin e deputetit Blerim Shala, koordinator i bisedimeve.


U vendos, ndërkaq, që Projektligji për rregullimin e shërbimeve të ujit të dërgohet për mendim në Qeveri, ndërsa shqyrtimi i Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2014 dhe ai i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, u shtynë për mbledhjen e radhës.


Sa i përket rekomandimeve të Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione përkitazi me Peticionin kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, pikë kjo e hequr nga rendi i ditës në seancën e fundit, Kryesia vendosi që të pritet harmonizimi i rekomandimeve dhe shqyrtimi i raportit të ZRRE-së nga ana e këtij komisioni.


Në këtë mbledhje Kryesia shqyrtoi edhe disa kërkesa e njoftime.


 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit