Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Premte, 10.04.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj, raportuan Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Fadil Kodra, si dhe përfaqësues të Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës. Me këtë rast ata shprehën shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen dhe kushtet në të cilat zhvillon punën kjo kategori, duke kërkuar veç tjerash nga Komisioni zgjidhjen e statusit të tyre.
Pas një diskutimit të gjerë për këtë çështje, anëtarët e komisionit u zotuan se çështjen e zjarrfikësve do ta trajtojnë me seriozitet dhe se do të shikohet mundësia e krijimit të një ligji të veçantë për zjarrfikësit.
Më tej, anëtarët e Komisionit shqyrtuan dhe përkrahën në parim për procedim në mbledhje të Kuvendit këto projektligje: Projektligjin Nr.05/L-22 për Armë, Projektligjin Nr.05/L-17 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-246 për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri, si dhe Projektligjin Nr. 05/L-15 për Letërnjoftim.
Komisioni po ashtu shqyrtoi dhe përkrahu edhe raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2014. Me këtë rast, raportoi kreu i kësaj agjensie, Ruzhdi Jashari.