Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...

E Mërkure, 08.04.2015




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të cilën e kryesoi Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit, u shqyrtua Raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për vitin 2014. Në mbledhje morë pjesë edhe anëtaret e Këshillit të cilët e prezantuan Raportin.

Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Lulzim Aliaj, prezantoi Raportin vjetor 2014, si dhe e njoftoi komisionin për numrin e ankesave të shërbyesve civil, të cilat pohoi se janë shtuar gjatë vitit 2014. Ai ka dhënë sqarime për mënyrën e vendosjes së ankesave dhe sfiden që ka Këshilli për moszbatimin e vendimeve të këtij institucioni të pavarur nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale, duke kërkuar mbështetjen e Kuvendit për zbatimin e vendimeve nga institucionet. Ata e njoftuan Komisionin edhe për punë, përkatësisht monitorimin e shërbyesve civil jashtë Kosove, si në ambasada e konsullata.

Komisioni unanimisht miratoi Raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Po në këtë mbledhje komisioni ka takuar përfaqësuesit e Sindikatës së RTK-së, zotërinjtë Fadil Hoxhaj dhe Arsim Halili, të përjashtuar nga puna në RTK, si dhe tre anëtarë të tjerë të Kryesisë së kësaj sindikate që vazhdojnë të punojnë në Radiotelevizionin publik.

Sindikalistët e RTK-se sqaron se menaxhmenti dhe Bordi I RTK-së nuk i përmbushin obligimet ligjore, duke ngritur shqetësimet për rekrutimin e punëtorëve në RTK. " Gjendja në RTK është degraduese, e shprehur sidomos në 3-4 vitet e fundit, si nga aspekti financiar ashtu edhe në atë të transparencës", janë shprehur sindikalistët e RTK-së.. RTK-ja është e zhytur në borxhe duke bërë lidhjen e kontratave që janë në kundërshtim me procedurat e prokurimit, dhe nga borxhet e RTK-së pasojat do t'i vuajnë punëtoret, u shprehën ata. Duke bërë lidhjen e kontratave me producentë të pavarur thirren në emër të dispozitave të ligjit në fuqi, sipas se cilave dispozita RTK-ja mund të lidh kontrata nga 15%, por jo me shume se 20%. Për këto parregullsi njësia e krimeve ekonomike ka filluar hetimet, kanë pohuar ata.

Duke pohuar se 60% e buxhetit te RTK-se ndahet për paga dhe mëditje, kanë specifikuar se drejtori gjeneral ka 10 këshilltarë me një mije euro page mujore dhe se nga mbi 900 të punësuar ,sa ka RTK-ja aktualisht, 340 prej tyre anë janë punësuar në 18 muajt e fundit.

Ata janë ankuar se Komisioni disiplinor merret vetëm me punëtoret të cilët janë pjesëtarë të sindikatës së RTK-se dhe se drejtori menaxhues i RTK-së është anëtar i komisionit disiplinor në shkallë te parë dhe të dytë. Vendimet e menaxhmentit të RTK-se për përjashtimin e punëtoreve nga puna, ndërkaq, e kanë quajtur kërcenim edhe për punëtoret e tjerë.

Pasi anëtarët e komisionit u kanë shtruar pyetje të ndryshme sindikalistëve të RTK-së, të cilët kanë dhënë përgjigje dhe sqarime plotësuese , kryetari i Komisionit , Zenun Pajaziti , u ka sugjeruar sindikalistëve të RTK-së që t'i adresojnë çështjet që bien në përgjegjësinë e sindikatës dhe të mos i tejkalojnë kompetencat e tyre. Ai ka pohuar se për çështjet që po diskutohen Komisioni do të informohet në takimin e radhës që do të ketë me Bordin e RTK-së, kur edhe do të ftohen për të raportuar për Raportin vjetor të RTK-së.

 

 Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...