Lajmet e fundit
Kryetari Veseli uron qytetarët romë të Kosovës me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve
E Mërkure, 08.04.2015
Me rastin e 8 prillit - Ditës ndërkombëtare të romëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët romë të Republikës së Kosovës.
Në urim thuhet:
"Sot është Dita ndërkombëtare e romëve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron një bazë të mirë ligjore që garanton liritë dhe të drejtat e romëve të Kosovës. Kjo shprehet më së miri në faktin se ata sot janë qytetarë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës dhe një ministri në kuadër të Qeverisë së Kosovës ka për detyrë t'i adresojë konkretisht brengat e tyre.
Por kjo gjithsesi se nuk mjafton.
Në realitetin tonë social, romët ende ballafaqohen me sfidat e rënda të papunësisë dhe varfërisë kronike, edukimit të pamjaftueshëm, strehimit jo dinjitoz dhe në shumë raste edhe me mentalitetin e paragjykimeve me elemente raciste.
Institucionet e Kosovës kanë për obligim të ndryshojnë këtë gjendje, ndërsa si shoqëri duhet të ndryshojmë mentalitetin e paragjykimeve dhe përjashtimit, me të cilën romët ndeshen në jetën e tyre të përditshme. Kjo duhet të fillojë nga gjuha. Është e papranueshme që në gjuhën tonë të përditshme, duke filluar nga çerdhet, figura e romëve përdoret si etiketë fyese.
Askush më mirë se sa ne shqiptarët e Kosovës nuk e di se çdo të thotë të jesh viktimë e paragjykimeve etnike e racore, prandaj në këtë ditë, ne duhet të përkushtohemi me mendje, zemër dhe punë praktike, që romët, si të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës, të jenë qytetarë të lirë dhe identitetin e tyre të mos e ndjejnë si pengesë për të qenë pjesë e shoqërisë".