Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Marte, 07.04.2015




Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot, në vazhdimin e tretë të seancës së filluar më 2 prill, të kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti (një pjesë e kryesoi nënkryetarja Duda Balje), shqyrtoi dy projektligje, disa rekomandime dhe zgjodhi dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, prezantoi para deputetëve Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Ministri Zharku tha se ky projektligj do të zgjidhë çështjen e pronës së paluajtshme private dhe kthimin e dokumenteve kadastrale të marra nga Serbia. Agjencia ndërkaq, sipas tij, do të jetë e pavarur dhe ky projektligj përcakton detyrat e saj. Zharku tha se Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në emër të Komisonit funksional për Legjislacion, deputetja Selvije Halimi paraqiti rekomandimin e këtij komisioni, sipas të cilit i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi në parim dhe miratimi i projektligjit.

Përfaqësues të grupeve parlamentare në pozitë, Selvije Halimi në emër të GP të PDK-së, Armend Zemaj në emër të GP të LDK-së dhe Kujtim Paçaku në emër të atij Gjashtë Plus, i dhanë përkrahje projektligjit, duke e konsideruar atë mjaft të rëndësishëm për qytetarët, i cili, sipas tyre, do të mundësojë zgjidhjen e kontesteve të ndryshme pronësore dhe regjistrimin e pronave në emrin e tyre.

Deputetë nga grupet parlamentare në opozitë, Albulena Haxhiu nga GP i Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja dhe Valdete Bajrami nga Nisma, duke kontestuar aspekte përmbajtësore të projektligjit dhe vet përbërjen e Agjencisë e cila parashihet të themelohet, paraqitën një varg vërejtjesh dhe njëherësh qëndrimin e tyre kundër projektligjit.

Pas diskutimeve edhe të deputetëve të tjerë, Kuvendi, me shumicë votash miratoi projektligjin në parim dhe e ngarkoi komisionin funksional për shqyrtimin e tij.

Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi për herë të dytë Projektligjin nr. 05/L-09 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Raportin me rekomandime të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti e Industri përkitazi me këtë projektligj, e prezantoi kryetari i këtij komisioni, Muhamet Mustafa, i cili njëherësh arsyetoi edhe amendamentet e propozuara.

Kuvendi miratoi projektligjin, me amendamentet e komisionit, ndërkaq nuk i përkrahu dy amendamente të GP të Vetëvendosjes.

U miratua, gjithashtu, edhe rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për transferimin e mjeteve nga Buxheti i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës në Buxhetin e Komunës së Gjakovës për vitin 2015, në bazë marrëveshjes ndërmjet këtyre dy institucioneve.

Kuvendi vazhdoi punimet me procedimin për votim të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Nga katër të propozuarit nga komisionit ad-hoc për dy pozita, Kuvendi, me votim të fshehtë, për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës zgjodhi Eshref Shabanin dhe Malësore Gashi-Bajraktarin, me mandat pesëvjeçar.

Lidhur me rekomandimet e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione përkitazi me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, deputetja Salihe Mustafa bëri të ditur qëndrimin e fundit të komisionit, sipas të cilit kërkohet heqja e kësaj pike nga rendi i ditës dhe shqyrtimi i saj në një nga seancat e radhës.

Kjo u arsyetua me faktin sot në kutitë e deputetëve ka arritur një raport i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe, rrjedhimisht, nevojitet më tepër kohë për shqyrtimin e tij.

Kuvendi njëzëri vendosi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës së seancës së sotme. Ndërkaq, me shumicë votash u vendos që edhe pikat: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, të hiqen nga rendi i ditës së kësaj seance.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit