Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
E Premte, 03.04.2015
Debati parlamentar lidhur me punën 100-ditëshe të kryeministrit Isa Mustafa dhe Programin Qeverisës, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë, i filluar dje, ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, me diskutime nga deputetë të Kuvendit dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Vazhdimi i seancës, i kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, u përshkua me diskutime të shumta nga ana e deputetëve të pozitës dhe opozitës, të cilët shpalosën qëndrimet e tyre përkitazi me punën e deritashme të qeverisë dhe programin e saj katërvjeçar.
Deputetë të partive në pushtet piketuan aspekte pozitive të punës së ekzekutivit dhe njëherësh, programin qeveritar e konsideruan premtues për perspektivën e Kosovës e të qytetarëve të saj.
Përfaqësues të partive opozitare, ndërkaq, folën me tone negative për 100-ditshin e punës së qeverisë, duke identifikuar, sipas tyre, edhe mangësi në përmbajtjen e programit qeveritar në lëmenj të ndryshëm.
Anëtarë të kabinetit qeveritar, nga ana e tyre, shpërfaqën aspekte programore të dikastereve që ata drejtojnë, duke u përgjigjur herë pas herë edhe në diskutimeve të deputetëve.
Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij përfundimtare, debatin dyditor parlamentar për punën dhe programin e qeverisë, e konsideroi të rëndësishëm, por vlerësoi se krahas vërejtjeve dhe kritikave, do të duhej të jepeshin edhe propozime e alternativa. Ai tha se partnerët e koalicionit janë përpjekur që të hartojnë një program të zbatueshëm, i cili do t'u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj.
Iniciuesi i debatit, deputeti Glauk Konjufca, paraqiti edhe njëherë në mënyrë të përmbledhur propozim-rekomandimet.
Me 38 vota kundër, 20 për, 6 abstenime, Kuvendi nuk i miratoi rekomandimet e propozuara.
Me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe atij të LDK-së, Kuvendi ndërpreu punimet. Mbledhja, me pikat e mbetura, do të vazhdojë të martën në orën 10:00.