Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 02.04.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Kadri Veseli, ka debatuar sot lidhur me punën 100-ditëshe të kryeministrit Isa Mustafa dhe Programin Qeverisës, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë. Edhe pse ky debat ishte i radhitur si pikë e shtatë e rendit të ditës, me kërkesë të grupeve parlamentare opozitare dhe atij të LDK-së, përkrahur edhe nga Grupi i PDK-së dhe ai Gjashtë Plus, debati u zhvendos në fillim të seancës, si pikë e parë e rendit të ditës.
Në cilësi të kërkuesit të këtij debati, deputeti Glauk Konjufca arsyetoi para deputetëve kërkesën për të diskutuar lidhur me këtë temë, duke konsideruar se 100-ditshi i parë i qeverisjes në çdo vend demokratik është shndërruar në një praktikë të nxjerrjes së bilancit fillestar të punës së ekzekutivit. Fillimi i punës së Qeverisë së Isa Mustafës, sipas deputetit Konjufca, nuk duket aspak premtues. Ai tha se përbërja e qeverisë në çdo vend të botës, e përcakton kualitetin e qeverisjes. Dy partitë kryesore në qeveri, PDK-ja dhe LDK-ja, sipas kryetarit të GP të Vetëvendosjes, mbajnë mbi supe përgjegjësinë kryesore për ngecjen e zhvillimit ekonomik, lulëzimin e korrupsionit kronik, degradimin e sistemit arsimor, erozionin e sovranitetit shtetëror dhe ngulfatjen e drejtësisë.
"Prandaj, konstatimi i parë që po e bëj është ky: përvoja na tregon se kjo trashëgimi politike që ndodhet në pushtet, nuk ka vullnet politik për të vepruar në drejtim tjetër politik përpos atij që e kemi parë tash e 15 vite.
Kurse për rezultate nuk ka nevojë ta bindim askënd: rezultatet jetohen", u shpreh Konjufca, ndërsa shtoi se bashkimi në koalicion për të satën herë i binomit ekzistues qeveritar, i ka fundosur si mos më keq shpresat e popullit të Kosovës.
Kur qytetarët e humbin besimin në institucione, shtoi Konjufca, atëherë kjo shfaqet në dy forma - si revoltë, apo si dëshpërim.
"Të revoltuarit protestojnë, ndërsa të dëshpëruarit ikin nga atdheu i tyre. Prandaj nuk është fare e rastësishme që 100-ditshi i parë i qeverisë u karakterizua me protesta të qytetarëve dhe me migrim masiv të tyre", tha në vazhdim të fjalës së tij deputeti Konjufca. Ai u ndal edhe të mënyra e krijimit të qeverisë. Konjufca tha se kryeministri Mustafa e ka marrë postin e kryeministrit mbi tradhtinë e partnerëve të vet, të cilën ai e konsideroi problem të madh të kredibilitetit dhe moralit publik.
Në fund të fjalës së tij, Konjufca paraqiti para deputetëve 11 rekomandime, nëpërmjet të cilave qeverisë i adresoheshin një varg kërkesash, si: përgjigjja e kryeministrit dhe ministrave sipas normës kushtetuese në kërkesat e deputetëve dhe komisioneve parlamentare, paraqitja në Kuvend e çfarëdo marrëveshjeje më palë a shtete të tjera, aplikimi i masave të menjëhershme të rritjes së kontrollit mbi Doganat e Kosovës dhe ATK-në për ta luftuar kontrabandën dhe evazionin fiskal, publikimi i Kontratës për Autostradën Prishtinë - Han i Elezit, shpallja ligjërisht e Kombinatit "Trepça" ndërmarrje publike, bërja publike e të dhënave lidhur me procesin e tenderimit për ndërtimin e termocentralit "Kosova e re", paraqitja para deputetëve e strategjisë konkrete për punësim, publikimi i vendimit me shkrim për shkarkimin e ish-ministrit Jabllanoviq etj.
Më pas, fjalën e mori kryeministri Isa Mustafa, i cili dha disa përgjigje dhe sqarime në çështjet e ngritura nga kërkuesi i debatit, duke i konsideruar një pjesë të tyre të pavërteta. Mustafa tha se është e pavërtetë që ai dhe ministrat e qeverisë kanë përkrahur dhunën në protestë, por, sipas tij, është e vërtetë se në protestë janë lënduar 126 policë, kryesisht me gurë, janë demoluar prona private dhe publike dhe janë lënduar 20 qytetarë.
"E pavërtetë është pika tre e mocionit se kam deklaruar se kam shkuar në stacionin e autobusëve, se njerëzit po largohen me ‘ajfona", por e vërteta është se në bisedat që i kam pasur jashtë vendit njerëzit me kanë thënë që në radhën e atyre që po kërkojnë strehim ka njerëz me ‘ajfona'. Aq më e pavërtetë është që unë i kam quajtur prindërit e fëmijës që humbi jetën në Hungari të papërgjegjshëm, por e vërteta është se familjarët kanë përgjegjësi për fëmijët e tyre, dhe nëse këtë nuk e dini, lexojeni Ligjin për familjen që është miratuar në Kuvend", tha Mustafa.
Duke folur për rekomandimet e propozuara, kryeministri tha se ato derivojnë nga shumë të pavërteta të këtij mocioni, prandaj, sipas tij, asnjë rekomandim i cili derivon nga e pavërteta, nuk meriton të votohet nga deputetët e Kuvendit.
"Deputetët kërkojnë të përkrahin Programin Qeverisës, e jo kërkesat deri te ato folklorike që kanë të bëjnë me publikimin e vendimit për shkarkimin e një ministri serb. Thua se krejt zori ynë zhvillimor dhe i forcimit të shtetit ligjor lidhet me fatin dhe epilogun e mënyrës së shkarkimit të një ministri", u shpreh Mustafa.
Pas kësaj, kryeministri i Kosovës prezantoi të dhëna nga puna 100-ditëshe e qeverisë dhe programin qeveritar për mandatin në vijim, duke shpalosur orientimin programor të qeverisë dhe prioritetet e saj për mandatin në vijim. Ai tha se një vend të veçantë në programin qeverisës zë lufta kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Kryeministri tha se programi i qeverisë që ai drejton përbëhet nga pesë shtylla kryesore, të cilat, sipas tij, do ta kthejnë besimin e qytetarëve.
"Programi përqendrohet në pesë fusha: në zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor, në agjendën evropiane dhe në reformat thelbësore në arsim, si dhe në shëndetësinë bashkëkohore. Në bazamentin e programit të Qeverisë së Kosovës dhe në filozofinë e saj vepruese, janë vlerat demokratike evropiane, është respekti për traditën, për lirinë, drejtësinë, për tolerancën, është transparenca, liria e të shprehurit individuale dhe kolektive që paraqesin fundamentin e një shoqërie evropiane të Kosovës", u shpreh kryeministri Mustafa.
Ai tha se ideja themelore e qeverisë është se vetëm një qeverisje e bazuar në ekonomi të tregut dhe në shtetin ligjor mund të forcojë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë për vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur. Kreu i qeverisë shtoi se programi qeverisës është rezultat i harmonizimit të politikave qeverisëse të partnerëve kryesorë të koalicionit, por edhe i punës së të gjitha ministrive për të konkretizuar objektivat qeverisëse për periudhën 2015 - 2018.
"Programi qeverisës nuk përmban projeksione numerike, sepse është bërë duke respektuar kriteret e ekonomisë së tregut, në të cilën qeveria krijon kushte, ndërkaq bizneset private janë promotor i zhvillimit dhe punësimit. Unë mendoj se me kushtet që do të krijojmë do të përmbushim premtimet tona të punësimit të ri dhe të legalizimit të punësimit joformal", vlerësoi kryeministri i vendit. Ai theksoi se programi elaboron zhvillimin ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, që përfshin përshkallëzimin e TVSH-së, uljen e pragut të TVSH-së, pushimet nga taksat, lirimet doganore, politikat tregtare konkurruese për përmirësimin e mjedisit biznesor, me qëllim themelor hapjen e tregut dhe tejkalimin e monopoleve, funksionalizimin e zonave të tregtisë së lirë, luftën e ekonomisë joformale, përkrahjen e prodhuesve vendor, eliminimin e barrierave ligjore dhe zvogëlimin e burokracisë; përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme etj. Rëndësi e veçantë, sipas tij, i është kushtuar formimit të fondit për zhvillim, përkatësisht për punësim dhe investime në energji dhe miniera, përfshirë zgjidhjen e statusit të Trepçës, përmes ligjit të veçantë.
"Objektiv fillestar i Qeverisë është stabiliteti makroekonomik dhe stabiliteti buxhetor i vendit. Qeveria do të orientohet në investimet produktive, të cilat nxisin zhvillim ekonomik, në rend të parë në bujqësi, në arsim dhe në shëndetësi. Qeveria është përcaktuar për kursime të domosdoshme, ka heqë dorë nga shumë shpenzime, si ato të blerjes së automjeteve, pajisjeve për zyrë, kompjuterëve etj", tha kryeministri i vendit.
"Ky program do të jetë udhërrëfyes për punën e qeverisë gjatë mandatit të saj qeverisës. Programi deri më tani është diskutuar me bizneset dhe me asociacionet e tyre, me donatorët e jashtëm dhe të brendshëm, u është prezantuar përfaqësuesve të jashtëm diplomatikë, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian", u shpreh Mustafa.
Duke folur për koalicionin qeverisës, kryeministri tha se ai është ndërtuar duke pasur parasysh dhe duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës të shprehur me votë të lirë, si dhe detyrimin kushtetues për themelimin e institucioneve legjitime të vendit, funksionale dhe gjithëpërfshirëse.
Ai tha se agjenda evropiane dhe politikat e jashtme përfshijnë masat që çojnë Kosovën në Bashkimin Evropian, në NATO, partneritet strategjik dhe bashkëpunim me vendet e rajonit.
"Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe presim nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe po i bëjmë përgatitjet për përmbushjen e kritereve teknike që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave, ndërkaq kemi premtimin e përfaqësuesve të BE-së se me përmbushjen e kritereve teknike do të kemi disponimin politik që të liberalizohen vizat", tha ndër të tjera në fjalën e tij kryeministri Mustafa.
Zv/kryeministri, njëherësh ministër i jashtëm, Hashim Thaçi, duke e marrë fjalën në seancë, u fokusua kryesisht në politikën e jashtme të Kosovës, agjendën ekonomike të saj dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit. Zv/kryeministri Thaçi potencoi një varg të arriturash të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, ndërsa shtoi se ajo është fuqizuar në konsolidimin ndërkombëtar të saj, duke u bërë kështu shembull për bashkëpunimin në rajon.
Ai tha se politika e jashtme është vënë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, ndërsa prioritete të tjera të saj do të jenë edhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar, njohjet të reja, veçanërisht nga pesë vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, si dhe anëtarësimi në forume e organizata të ndryshme ndërkombëtare, me theks të veçantë, në OKB. Thaçi u ndal edhe te vizitat në shtetet fqinje dhe ato të rajonit, nëpërmjet të cilave, sipas tij, është proklamuar politika e fqinjësisë së mirë nga ana e Kosovës.
Duke folur për marrëveshjen e koalicionit ndërmjet dy partive kryesore në Kosovë, PDK-së e LDK-së, Thaçi e konsideroi atë të arsyeshme, pasi që, sipas tij, të dy këto parti vëmendjen e kanë të përqendruar në zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e kushteve për investime në Kosovë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ai tha se qeveria gëzon besimin dhe mbështetjen e shumicës së qytetarëve të Kosovës.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Besim Beqaj u fokusua në programin qeveritar, duke e cilësuar atë me fokus në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, rritjen e zhvillimit ekonomik, krijimin e fondit për punësim dhe zhvillim, ngritjen e cilësisë në arsim e shëndetësi, agjendën evropiane të Kosovës etj. Beqaj tha se PDK-ja ka mirëpritur vendimet e fundit të qeverisë, të cilat, sipas tij, tregojnë një konsistencë me politikat paraprake qeveritare.
"Një pjesë e mirë këtyre vendimeve më shumë kanë dimension social. Presim që procesi i zhvillimit ekonomik për krijimin e vendeve të punës dhe fuqizim të sektorit privat, të jetë prioritet e të gjitha prioriteteve", theksoi deputeti Beqaj. Duke folur për besimin e qytetarëve në institucione, ai tha se një pjesë të mirë të fajit lidhur me këtë e mbajnë edhe partitë opozitare, posaçërisht Vetëvendosja, e cila, sipas Beqajt, ka shkaktuar bllokadë totale të jetës ekonomike në Prishtinë.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Beqaj kërkoi nga qeveria që pavarësisht pengesave, t'i adresojë problemet e qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ta kthejë besimin e tyre.
"PDK-ja përkrah fuqishëm punën e qeverisë, duke kërkuar transparencë dhe angazhim. Do ta përcjellim me kujdes zbatimin e programit qeverisës, i cili konsiston në politikat që ka pasur Partia Demokratike e Kosovës", tha ndër të tjera Beqaj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, nga ana e tij, potencoi përkushtimin e qeverisë për ta njoftuar Kuvendin me programin e saj qeveritar. Ai tha se qeveria ia ka dorëzuar këtë program Kuvendit më 11 mars, deputetëve u është shpërndarë më 13 mars, ndërkaq kërkesa për debat është bërë më 19 mars. Me këtë, sipas tij, vërtetohet se qeveria e ka realizuar atë që e ka thënë, se do të bëjë një program të qeverisjes dhe atë të do ta dorëzojë në Kuvend. Beqiri theksoi se ky program, në masën më të madhe është edhe i realizueshëm. Duke u ndalur në punën e deritashme të ekzekutivit, Beqiri tha se qeveria Mustafa deri tani ka miratuar një mori dokumentesh të rëndësishme, të cilat, sipas tij, do të jenë udhërrëfyese në mandatin e saj katërvjeçar.
"Përveç që ka një program qeveritar të shkruar, është aprovuar edhe plani i veprimit se si do të realizohet ky program. Qeveria e ka përgatitur dhe dorëzuar në Komisionin Evropian Programin kombëtar për reformat, veçanërisht ato ekonomike", theksoi deputeti Beqiri. Ai shtoi se një dokument i tillë përmbledh reformat prioritare, strukturore të qeverisë, duke u bazuar në kornizën e qëndrueshme makrofiskale.
"Nxjerrja e dokumenteve të tilla, dëshmon se kjo përbërje e qeverisë është e drejtuar kah zhvillimi ekonomik i vendit e jo kah turbo-folklorizmi i të mos bërit asgjë", u shpreh kreu i GP të LDK-së.
Duke prezantuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Faton Topalli tha se secili do të dëshironte të fliste për sukseset e kësaj qeverie në realizimin e objektivave prioritare, që për synim do të kishin uljen e varfërisë, rritjen e punësimit dhe në përgjithësi përmirësimin e jetës së qytetarëve, por, sipas tij, për fat të keq duhet konstatuar se kjo qeveri me lehtësi dhe shpejtësi aprovoi një buxhet që mundëson gjithçka tjetër përveç zhvillimit.
Topalli tha se 100 ditë nuk mjaftojnë për të vlerësuar ndikimin e qeverisë në rrjedhat ekonomike, por 100 ditë, sipas tij mjaftojnë për të parë kahet në të cilat po ec vendi, sinjalet e para të të cilave, siç u shpreh ai, janë shumë trishtuese.
"Ajo që vërehet në programin qeverisës është një kaos i vërtetë në përcaktimin e prioriteteve, me ç'rast del që qeveria përveç më tepër se 50 prioritete, ka edhe rreth 15 objektiva e besa edhe disa synime", theksoi deputeti Topalli. Ai vlerësoi se programi qeverisës përngjan më shumë në një program elektoral se sa në një instrument për realizimin e politikave.
Në vazhdim të diskutimeve, në emër të GP të AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj paraqiti shkurtimisht disa tema të nevojshme për diskutim, të cilat, sipas tij, duhet të kenë trajtimin e duhur, në mënyrë që të ndryshohet gjendja në Kosovë. Ai tha se nuk mund t'i iket trajtimit të temës së kapjes së shtetit, asaj të ndalimit të korrupsionit, kryerjes së punëve të shtëpisë, krijimit të partneritetit ndërkombëtar në fushën e sigurisë, të ekonomisë etj.
"Nëse nuk e trajtoni në këtë mënyrë gjendjen në vend, do ta fundosni Kosovën. Kur të takohemi herën tjetër për ballafaqim me gjendjen, do të jemi më keq se sot", tha Haradinaj.
Deputeti Fatmir Limaj, në emër të GP të Nismës për Kosovën, tha se prej ditës së parë ka qenë e qartë se Kosova do të ketë një vazhdimësi të qeverisjes në planin e investimeve dhe se këtë e dëshmon miratimi i buxhetit të përgatitur nga qeveria e kaluar. Ai tha se në 100 ditët e para jepet një uverturë se kah do të shkojë një qeveri gjatë mandatit të saj. Qeveria e re, sipas tij, ka mundur dëshmojë se do të bëjë hapa të tjerë, duke bërë shkëputje nga qeverisja e kaluar dhe duke demonstruar se gjërat do të ndryshojnë pozitivisht. Sipas Limajt, klima aktuale është vazhdimi i status-kuosë dhe mos prishja e drejtpeshimit.
"Sistemi i drejtësisë në vendin tonë është para kolapsit dhe ruajta e funksionimit të sistemit të drejtësisë është detyrë e qeverisë", theksoi Limaj, duke shtuar se është momenti që të fillohet me zgjidhjen e problemeve dhe kthimin e shpresës së qytetarëve.
Qerim Bajrami, në emër të Grupit 6 Plus, mbështeti fjalën e kryeministrit në këtë seancë parlamentare, duke e vlerësuar programin qeverisës dhe çmuar rezultatet e punës 100-ditëshe të qeverisë Mustafa. Ai ndërkaq, u angazhua për më shumë projekte të qeverisë, në të cilën do të gjenin punë pjesëtarët e komunitetit boshnjak dhe të komuniteteve të tjera pakicë.
Debati parlamentar vazhdoi me diskutimet e deputetëve, të cilët trajtuan aspekte përmbajtësore të programit qeveritar dhe shpalosën qëndrime për dhe kundër punës 100-ditëshe të qeverisë. Anëtarë të kabinetit qeveritar, ndërkaq, shpalosën pjesë nga programi qeveritar nga sfera e ministrive që drejtojnë.
Debati vazhdon nesër në orën 11:00.